Aksidenti me 46 viktima në Bulllgari, Maqedoni e Veriut shpall 3 ditë zie kombëtare

Maqedonia e Veriut ka shpallur 3 ditë zie, për shkak të aksidentit fatal në Bullgari, ku humbën jetën 46 pasagjerë, midis tyre edhe qytetarë shqiptarë.

Mediet maqedonase raportojnë se flamujt shtetërorë para qeverisë, janë ulur në gjysmështizë.

Mediet e Maqedonisë së Veriut kanë publikuar dyshimet e para për shkaqet e aksidentit tragjik.

Autobusi ka dalë nga autostrada Struma në afërsi të fshatit bullgar Bosnek, afër Pernikut.

Sipas informacioneve fillestare, autobusit i ka plasur goma e përparme djathtas, e më pas është përplasur dhe është zvarritur.

Në atë moment është derdhur karburanti pasi në autobus ka punuar ngrohja. Ka rënë zjarr dhe ka ndodhur aksidenti fatal për pasagjerët që po ktheheshin nga Stambolli për në Shkup.