Demokracia amerikane po rrëshqet prapa - Instituti europian: Mosnjohja e zgjedhjeve nga Trumpi është faktor

Jemi mësuar që të shohim institutet amerikane që bëjnë renditjen për demokracinë dhe vlerat demokratike në vende të ndryshme të botës, por këtë muaj kanë qenë suedezët që kanë vënë notë të keqe ndaj demokracisë amerikane.

Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar listës vjetore të demokracive "që kanë bërë hapa prapa" për herë të parë, njoftoi instituti Ndërkombëtar IDEA, duke treguar për një "përkeqësim të dukshëm" që tha se filloi në 2019-ën. Globalisht, më shumë se një në katër njerëz jetojnë në demokraci të brishtë, teksa ka një rritje të regjimeve autoritare ose "hibride", sipas Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore me qendër në Stokholm.

“Këtë vit ne i pozicionuam Shtetet e Bashkuara si demokraci që ka bërë hapa prapa, për herë të parë, por të dhënat tona sugjerojnë se episodet për këtë thyerje të demokracisë kanë filluar të paktën në vitin 2019”, tha ekspertja e institutit në raportin e saj të titulluar “Gjendja globale e demokracisë në vitin 2021”.

 “Një pikë kthese historike ishte kur ish-presidenti Donald Trump vuri në dyshim legjitimitetin e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara”, thuhet në raport.

Për më tepër, autorët vunë në dukje një rënie të cilësisë së lirisë së organizimit dhe tubimit gjatë protestave pas vrasjes së George Floydit nga policia.

Instituti ndërkombëtar IDEA i bazon vlerësimet në tregues të shumtë të demokracisë në rreth 160 vende të botës, duke i ndarë ato në tre kategori: demokraci, qeveri "hibride" dhe regjime autoritare.

Në fillim të këtij muaji, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken do të thoshte nga Kenia se bota po përjetonte "recesion demokratik" dhe ai përfshiu edhe sfidat që ka përpara Amerika, siç janë lufta kundër dezinformimit, dhunës politike, frikësimit të votuesve dhe korrupsioni.  

"Pandemia ka përshpejtuar dhe zmadhuar disa nga tendencat për të kufizuar liritë e qytetarëve, veçanërisht në vendet ku demokracia dhe sundimi i ligjit ishin të të brishta që përpara pandemisë," thanë hartuesit e raportit.