Ambasadori i ri i SHBA në Kosovë, Senati amerikan konfirmon diplomatin Jeffrey Hovenier

Senati amerikan konfirmoi Jeffrey Hovenier për të shërbyer në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. 

Hovenier, një diplomat karriere, u emërua në për këtë post në muajin korrik nga presidenti Joe Biden.

Ai ka shërbyer së fundmi si zëvendësambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të Turqisë.

Diplomati ka përvojë në Kosovë, pasi ka shërbyer në ekipin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB për statusin politik, Martti Ahtisaari.

Në vitin 2018, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e nderoi zotin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Më herët, në një seancë dëgjimore para Komitetit të Senatit, Hovenier është shprehur se, nëse konfirmohet në postin e ambasadorit, ai do të ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike dhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Hovenier do të zëvendësojë ambasadorin Philip S. Kosnett, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në korrik të vitit 2018, dhe filloi detyrën si Ambasadori i pestë amerikan në Republikën e Kosovës në dhjetor të atij viti.