Burg për Klodian Çalamanin, Kasapi: Ligji të jetë i ashpër dhe mos e konsiderojë me probleme mendore. Nuk duhet të përfitojë lehtësira

Gjykata dha masën e sigurisë "arrest me burg" për Klodian Çalamanin, 38-vjeçarin nga fshati Grecalli i Fierit i cili vrau në mënyrë makabre vogëlushin 8-vjeçar.

Gazetari i kronikës në A2CNN, Julian Kasapi i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se ngjarja është tepër e rëndë në sytë e gjithë qytetarëve.

Kasapi: Kemi të bëjmë me një monstër i cili vret një fëmijë 8-vjeçar. Në sytë e publikut ai cilësohet si një person me të meta mendore, por nga ana tjetër unë nuk dua të cilësohet ashtu në procesin gjyqësor për shkak se i ofrohen lehtësi. Sigurisht që do t'i bëhet një ekspertizë mjeko-ligjore, por ligji duhet të jetë i ashpër dhe mos e konsiderojë këtë person me probleme mendore për shkak se atij i ofrohen lehtësi. Mendoj se këtu duhet të jemi tepër të kujdesshëm që mos përfitojë lehtësira.

Gazetari u shpreh se drama nis në vitin 2016 kur Klodian Çalamani tentoi të përdhunonte një 16-vjeçare, i ndihmuar nga xhaxhai i Mateos Florian Vasiu. Vajza  u shpëtua nga duart e Çalamanit pikërisht nga babai i Mateos. Pas ngjarjes vajza u largua nga fshati drejt Italisë.

Kasapi: Deklaratat e banorëve janë disi konfuze. Disa thonë se 38-vjeçari ishte problematik, disa thonë se nuk ishte. Pikërisht për këtë histori ka nisur SHÇBA një hetim për policinë e brendshme të Fierit. Këtu ka dështuar sistemi i drejtësisë dhe sistemi i burgjeve pasi ky person nuk është rehabilituar. Këtu ka dështuar dhe shoqëria sepse nëse kemi pasur kaq shumë probleme të sjella nga 38-vjeçari duhet të kishte jo vetëm denoncime por deponime të shumta të banorëve në polici. Nga ana tjetër ka dështuar dhe policia sepse në një fshat kaq të vogël nuk ka  informacion për një person të tillë.

Gazetari shtoi se nga deklarimet e marra në fshat, banorët tentonin t'i shmangeshin 38-vjeçarit kur ai ishte nën efektin e alkoolit.

Kasapi: Ai është një vrarës gjakftohtë, i cili pasi ka kryer krimin ka tentuar të fshehë provat dhe më pas akoma më keq është interesuar sikur nuk di asgjë dhe ka shprehur vullnetin e tij për të kërkuar djalin e zhdukur. Ai ka kryer një krim makabër në gjakftohtësi dhe nuk mund të konsiderohet me probleme mendore.

Familjarët e 8-vjeçarit të vrarë në mënyrë shtazarake në Fier, të mbështetur dhe nga banorët e këtij qyteti kanë kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje në Shqipëri, si e vetmja masë për të vënë drejtësi dhe për të kursyer viktima të tjera.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku