Mision i përmbushur. Shqipëria mund Andorrën, renditet e treta në eliminatore

Edhe pse me shumë vështirësi, me mungesa, me probleme në formacion, pa tifozë në “Air Albania”, Shqipëria arrin të marrë atë që i duhej duke mposhtur Andorrën. Ky sukses e çon ekipin kuqezi në vendin e tretë në Grup duke mbyllur një faze eliminatore me rekord pikësh, 18 si asnjëherë tjetër. Edhe pse mbeten dy pengje për Shqipërinë, humbjet me Poloninë dhe ajo disfatë 5-0 me Anglinë, Shqipëria duhet vlerësuar për këtë bilanc pozitiv.

Gjithsesi, ndaj Andorrës skuadra e Rejës vuajti sidomos në pjesën e parë ku miqtë mund të na ndëshkonin në dy raste teksa në fund të pjesës së parë kur ngritëm presingun, goditëm edhe shtyllën.

Pjesa e dytë ishte më e mirë për kuqezinjtë ku me futjen e Bajramit dhe të Ernest Muçit, skuadra nisi të jetë më e qartë dhe pas disa rasteve shumë të mira, në 71’, Uzuni merr një penallti të cilën e ekzekuton mjeshtërisht Endri Çekiçi.

Skuadra kuqezi gjen qetësinë me golin e realizuar dhe tregohen më të kujdesshëm teksa sfida përfundon këtu me një rezultat minimal por me objektiva maksimalë, vendi i tretë për të cilin nisëm këto eliminatore./Ora News/.