Dortmundi e mbulon me ar por Haaland kërkon një pagë stratosferike

Jo vetëm Mbappe do të trondisë tregun e merkatos verën e ardhshme pasi edhe e ardhmja e Erling Haaland mbetet e panjohur. Ajo që është e qartë, siç ka përsëritur klubi në shumë raste, është se Borussia Dortmund do të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbajtur golashënuesin edhe përtej verës së ardhshme.

Siç detajohet nga media të shumta gjermane, në “Signal Iduna Park” ata tashmë kanë hartuar një plan për të vazhduar me shërbimet e yllit norvegjez, dhe këtu futet në lojë Puma, sponsor i Bundesligës.

Sipas gazetës gjermane “Bild”, plani i Borussias është ta bëjnë norvegjezin lojtarin më të paguar në historinë e klubit dhe rezultati do të varet nga fakti nëse bomber norvegjez ndryshon sponsorin nga Nike, marka që mbart sot ai, në Puma ku kjo e fundit do t'i siguronte klubit mundësi të reja financiare që mund të bënin të mundur që norvegjezi të qëndrojë. Megjithatë, kjo nuk do të vendoset deri në janar dhe nuk do të ndryshojë strategjinë e asnjërës palë.

Por pavarësisht këtyre përpjekjeve, Dortmundi edhe me ndryshimin e sponsorit, do të arrinte një page deri në 16 mln Euro në vit për bomberin e tij, maksimumi që mund të ofronte ndërsa në kampin e Haaland e shikojnë ndryshe.

Siç mësohet, ylli norvegjez do të kërkojë një page 30 mln euro në vit jo vetëm për Dortmundin që të rinovojë por për çdo klub që do te kërkoje shërbimet e tij në verën tjetër dhe këtu janë te paktë ata që mund ta bëjnë, ndoshta 2-3 klube!/Ora News/.