Editorial i Drejt - Krimi dhe shteti, përballë apo bashkë?

Një marrëdhënie e hershme që prej kur lindi shteti, e bashkë na vijnë edhe në kohët moderne.

Herë bashkë e natyrisht më shpesh përballë, shteti në luftë me krimin dhe krimi në sfidë me shtetin, mundësisht ta gjunjëzojë atë.

Kështu na i sjell historia, po për fat të keq edhe e sotmja.

Kronikat e reporterëve gjatë ditëve të fundit, na kanë risjellë edhe një herë në vëmendje një emër të njohur jo vetëm në rrethet e biznesit shqiptar; Rezart Taçi apo i ashtuquajturi “manjati i naftës në Shqipëri”, i cili është shpallur në kërkim për një skemë mashtrimi dhe pastrim parash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Por, duke kryer një vëzhgim në retrospektivë, Rezart Taçin nuk do ta gjejmë të shfaqet vetëm si manjat i naftës, por do ta gjejmë edhe nën shoqërinë e politikanëve të nivelit të lartë, me shtetarë, por edhe si manjat të medias e madje edhe të futbollit.

Pra, ai ishte njëri ndër biznesmenët kryesorë të karburanteve në Shqipëri, me raporte më shumë se miqësore me qeverinë, prej favoreve të së cilës, biznesmenët e së njëjtës fushë, pra tregtarët e tjerë të naftës e çuan edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Taçi bleu ndërkohë edhe televizionin “Alsat”, privatizoi kompaninë “Armo” dhe ia doli që të sjellë në Tiranë për një ndeshje me ekipin e futbollit  të Ersekës edhe vetë Realin e Madridit.

Paradokse shqiptare apo tallje është njëra anë e problemit, por ajo që është në fokusin e vëzhgimit tonë nuk ka të bëjë Rezart Taçin si individ, pasi ai është tashmë çështje e organeve të zbatimit të ligjit dhe e drejtësisë.

Ajo që përbën interes për publikun është fenomeni, pra është kjo tipologji krimi që në rastin Taçi nuk është se shfaqet për herë të parë.

Ndaj po flasim për krimin dhe shtetin e shtrojmë pyetjen: janë përballë, domethënë në luftë apo janë bashkë, domethënë ortakë?

Në raportet e institucioneve më prestigjioze ndërkombëtare, Shqipëria vazhdon të përmendet si vendi i pastrimit të parave, ndërkohë që është për fat të keq edhe vend i trafikimit të drogës, vend i pandëshkueshmërisë, vend i informalitetit, ku vrasjet dhe krimet e ngjashme vazhdojnë të jenë prezent nga qendra e kryeqytetit e deri në periferinë e largët.

Të gjithë në fund e drejtojmë gishtin mbi policinë: çfarë bën policia, ku është policia, përse nuk ndërhyn policia e kështu me radhë, por asnjëherë nuk pyesim çfarë bëjnë bankat se pastrim parash pa banka nuk bën dot apo se çfarë bëjnë institucionet e tjera që kanë gjithashtu detyrime dhe përgjegjësi në luftë kundër krimit, siç ka detyrime dhe përgjegjësi edhe vetë shoqëria.

Me krimin ka vetëm një rrugë: luftë pa asnjë kompromis, luftë deri në fund! 

Kjo nuk është çështje dëshire, por është detyrim.

Detyrim që duhet përmbushur!