Editorial i Drejt - Socialistët dhe kriza në PD

Edhe pse zyrtarisht Partia Socialiste duket se po e përcjell me indiferentizëm krizën që ka përfshirë Partinë Demokratike, në të vërtetë nuk është se bëjnë ndonjë përpjekje për ta fshehur ngazëllimin për gjendjen në të cilën ndodhet kundërshtari i tyre.

Kryeministri Edi Rama e gjen kohën sa herë që shfaqet para kamerave, sidomos kur është në Kuvend, që t’iu adresojë ndonjë këshillë apo sugjerim, më së shumti në trajtë shpotish e qesëndisjeje, si për të dëshmuar jo vetëm epërsinë e pushtetit, por edhe komoditetin që të ofron një kundërshtar në hall.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste që qeveris në mandatin e tretë radhas ka luksin të eksperimentoje me pushtetin, e madje edhe të na ofrojë prej projekteve të dërgimit të satelitëve në hapësirë e deri tek idetë për krijimin e akademive për barinjtë apo për pajisjen e tyre me panele diellorë për të pasur mundësi që të karikojnë telefonat e tyre celularë ndër lëndina dhe bjeshkë ku kullosin bagëtitë.

Ndërsa vetë partia, që në zgjedhjet e 25 prillit sipas raportit të OSBE/ODIHR-it nuk e dinte se ku ishte ajo vetë e ku ndahej prej saj administrata publike, pas riorganizmit përmes rishpërndarjes së drejtuesve të saj nga njëri qark në tjetrin, duket se ka nisur punën për zgjedhjet e ardhëshme.

Edhe pse legjislatura e re e Kuvendit mendohej se do të kishte një qasje tjetër në raport me opozitën, asgjë nuk ka ndryshuar as në njërin krah e as në tjetrin.

Secila palë në llogoren e vet e secila për interesin e vet.

E njëjta gjuhë, e njëjta retorikë, e njëjta sjellje.

Pavarësisht kohës që ikën e sfidave që shoqëria shqiptare duhet të përballojë me procesin e integrimit që ka mbetur në vend, me korrupsionin që vazhdon të gëlojë e gërryejë pa pasur frikë nga shteti e nga ligji, me pasigurinë e të nesërmes që imponon braktisjen e vendit duke e bërë shpopullimin plagën e madhe në shpirt të kombit, socialistët në pushtet, ndjehen të qetë e të patrazuar.

Patronazhistët janë në punë, ndërkohë që Partia Demokratike vazhdon të gjendet mes Statutin dhe Foltores, në pritje të mësojë fatin e saj.