Editorial i "Drejt" - Varfëria që nuk shohim…

Editoriali i emisionit "Drejt" në RTV Ora transmetuar mbrëmjen e 8 Nentorit 2021. Një emision nga Luan Rama. 

Ajo është gjithkund. Gjithkund e pranishme në jetën tonë. Në një farë mënyre varfëria është bërë vetë jeta jonë.

Natyrisht, mos prisni ta gjeni në kronikat apo reportazhet shtetërore. As në postimet e përditshme të Kryeministrit apo të ministrave të tij mos u rrekni më kot ta gjeni.

Por, edhe pse propaganda shtetërore dhe ajo tjetra, e “pavarura” në shërbim apo si aneks i saj nuk e gjen dot, varfëria është gjithkund, mjafton të dalësh fare pak metra jashtë Unazës së Vogël të Tiranës e mandej të shkosh gjithkund nëpër Shqipëri.

E gjithkund do të gjesh nga dy pamje, nga dy qytete, dy realitete.

Është Tirana e Bllokut, por edhe ajo Tirana tjetër e varfërisë, që për kontrast ka vilat milionëshe përreth TEG-ut, por edhe kronikën e mjerimit jo vetëm përgjatë Bregut të Lumit.

Është Vlora e Lungomares, por edhe ajo Vlora tjetër, Vlora e Llonxhës, Vlora e Çoles, siç kemi Durrësin e vjetër me rrugët tregtare, por edhe Durrësin e Kënetës e me keq se aq, Durrësin e getove tek NI Tulla në Shkozet apo Shkodrën e Piacës e të Gjuhadolit nga njëra anë e lagjen Liria në hyrje të saj, pranë Kalasë.

Por varfëria nuk është vetëm kaq.

Ajo shfaqet në shumë përmasa; shfaqet me fshatrat e braktisur e shtëpitë e rrëmuara prej boshit, me të rinjtë që rendin për të ikur prej vatrës e prej vendit, me pasigurinë për të nesërmen që edhe kur vjen, nuk ndryshon asgjë.

Varfërinë e gjen edhe në shifrat zyrtare të institucioneve të specializuara të vendit dhe në institucionet ndërkombëtare, anipse askush nuk merret me to, prej marramendjes që ofron shëmtia e spektaklit të politikës që fatalisht përputhet në nivelin e injorancës që ofron Përputhja apo të vetëshpallurit VIP-a që janë të tillë vetëm nga injoranca dhe vulgariteti që ofrojnë.

Në fund të vitit 2020, gati 38% e punonjësve ishin paguar me pagë minimale, poshtë kufirit të varfërisë relative me 5.5 USD në ditë. Sipas të dhënave të INSTAT, që u referohen listë-pagesave në tatime, në tremujorin e fundit të vitit 2020, nga totali i të punësuarve që paguanin sigurime, 25.6% e tyre kishin paga mujore deri në pagën minimale, 26 mijë lekë, ndërsa 12% e totalit të të punësuarve merrnin pagë minimale në nivelin 30 mijë lekë.

Sipas EUROSTAT, Instituti Evropian i Statistikave, gati 51% e shqiptarëve ishin në rrezik varfërie, ose përjashtimi social, një përqindje që është më e larta në Evropë.

Por më e larta në Evropë është edhe ikja e trurit nga Shqipëria, e padyshim, kjo është varfëria më e madhe, është plaga më e madhe që frikshëm vazhdon e bëhet edhe më e madhe.

Luksi, sado i shndritshëm të shitet, nuk e mbulon dot mjerimin që këlthet gjithkund, e ne bëjmë sikur nuk e dëgjojmë!

Majmëria, sado elitare të shitet ndër sallone ku injoranca sfilon e mbuluar me “PRADA”, nuk mund ta fshehë varfërinë as kur e përqesh apo tallet me të.

E në këtë realitet kontrastesh, Kuvendi vazhdon retorikën e hipokrizisë, ministrat tallen e flasin për akademinë e barinjve, krimi vret e vjedh kudo, ndërsa të rinjtë ikin e ikin, sepse i ikin varfërisë, i ikin mjerimit, i ikin pasigurisë.

Ikin sepse refuzojnë të vazhdojnë të tallen nga politika e vendit të tyre, e cila gjen kohë me u tallë.

Dhe Migjeni është gjithkund po aq i vërtetë sa në kohën e vet.

Migjeni në kohën e vet?

Jo or jo, jemi ne në kohën e Migjenit.

“Kështu lagj' e varfun pëshpritë

dhe errsinës hallet tregon.

Një gjel i undshëm, me dritë

të hanës i rrejtun, këndon.

Hesht! or gjel kryengritës,

i lagjës së varfun. - Këtu

nuk zbardh për ty drita e dritës.

i gjikuem je me ngordhë n'u.”.