FBI heton incidentin kibernetik, mbi 100 mijë persona morën mesazhe fiktive në llogari të saj
FBI-ja amerikane konfirmoi në fundjavë se hakerët sulmuan sistemin e jashtëm të postës elektronike, duke u përdorur për të dërguar mesazhe fiktive mbi 100 mijë personave, për llogari të saj.
Byroja Amerikane e Hetimeve po heton një sulm të mundshëm kibernetik në rrjetin e saj kompjuterik.
Hakerat raportohet se komprometuan sistemin e FBI-së për dërgimin e imejleve, duke përdorur një adresë të vërtetë interneti të agjencisë për t'u çuar mesazhe mbi 100 mijë qytetarëve.
Imejlet kishin si titull frazën "Urgjente: Aktorë të rrezikshëm në sistem" dhe në fund firmoseshin nga Departamenti amerikan për Sigurinë Kombëtare.
Brendia e mesazhit fliste për një autor fiktiv dhe për një grup hakerash të dyshuar për sulmin kibernetik.
FBI-ja është organ i varur nga Departmenti i Drejtësisë dhe tha se është në dijeni të incidentit.
"Vazhdojmë t'i bëjmë thirrje publikut të tregojë kujdes me dërguesit e panjohur dhe të raportojë aktivitetet e dyshimta," njoftoi agjencia.
Serveri i komprometuar i FBI-së që tani është hequr nga linja përdorej deri dje për informacione nga komuniteti i drejtësisë penale, organet ligjzbatuese, burgjet, prokurorët dhe nga gjykatat amerikane.

