Arrihet marrëveshja për klimën, rreth 200 shtete zotohen të reduktojnë përdorimin e qymyrit dhe gazit

Pas rezervave të Kinës dhe Indisë me formulimin e tekstit, në Glasgou të Skocisë u arrit marrëveshja për t'i bërë ballë krizës klimatike. Vendet janë zotuar të ulin ndotjen që vjen nga lëndët djegëse natyrore, si qymyri dhe gazi, dhe të ndihmojnë shtetet në zhvillim të ulin varësinë prej tyre dhe nga rreziqet e mundshme natyrore.

Kombet e Bashkuara arritën të shtunën një marrëveshje të re për të ulur rrezikun e ndryshimeve klimatike.

Pakti u firmos nga rreth 200 shtete në kuadër të samitit dyjavor për klimën që u mbajt në Glasgou të Skocisë.

Gazrat karbonikë në atmosferë shihen si një nga arsyet pse po ngrohet planeti, ndaj në fundjavë u vendos të kufizohet përdorimi i qymyrit si ndotës i madh.

Kryeministri britanik, Boris Xhonson, dhe i dërguari amerikan për klimën, Xhon Kerri, bënë thirrje që të gjitha shtetet  deri vitin tjetër të bëjnë gati një plan kombëtar se si ta ulin ndotjen në mjedis.

Arrihet marrëveshja për klimën, rreth 200 shtete zotohen

"Falë marrëveshjes, jemi më afër se kurrë shmangies së kaosit klimatik dhe garantojmë ajër më të pastër, ujë më të sigurt, planet më të shëndetëshëm."

"Mos ta gënjëjmë veten: do të ishte fatale të mendonim se i kemi mundur ndryshimet klimatike, por ajo që kemi bërë është plani se si të arrijmë atje. Dhe mund t'ia dalim nëse liderët, vendet, bizneset, qytetarët e botës zotohen për ato që kemi premtuar sot."

Shtetet do të takohen vitin tjetër për të skicuar aksione konkrete se si ta limitojnë rritjen e temperaturës së Tokës brenda nivelit 1,5 gradë Celsius nga periudha e revolucionit industrial.

Shkencëtarët mendojnë se planeti po shkon drejt ngrohjes me 2,7 gradë dhe kjo pritet të çojë në fenomene ekstreme thatësire, në rritje të nivelit të deteve, në zjarre dhe stuhi në disa shtete të cilat do të ndihmohen financiarisht.

Samiti në Glasgou bëri bashkë liderët e botës por edhe aktivistë e protestues të cilët thanë në fundjavë se u zhgënjyen nga garancitë e pakta që ata morën.