Samiti mes Amerikës dhe Kinës, të hënën Bideni dhe Xi Jinping takim virtual, Tajvani në agjendë
Pasditen e 15 nëntorit presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij kinez do të zhvillojnë një samit virtual. Palët janë në tensione të larta tregtare dhe ushtarake me njëra-tjetrën, por amerikanët kanë kërkuar menaxhim me përgjegjësi të konkurrencës nga të dyja superfuqitë e botës.
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij kinez Shi Xhinping do të mbajnë një samit virtual të hënën. Tensionet mes Amerikës dhe Kinës janë të larta sa i përket Tajvanit, ndaj edhe njoftohet se kjo do të jetë një nga temat e bisedimeve.
Tregëtia dhe të drejtat e njeriut pritet të marrin prioritet gjithashtu në këtë samit virtual.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, e cilësoi samitin e së hënës si një mundësi për të "menaxhuar me përgjegjësi konkurrencën" teksa thonë se duhet bashkëpunim për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
Presidenti amerikan Biden ka qenë në të njëjtën linjë me paraardhësin e tij Trump sa i përket rritjes së fuqisë kineze.
Të dyja administratat e shohin rritjen ekonomike dhe ushtarake të Kinës si sfidën kryesore të shekullit të 21-të.
SHBA-të kanë forcuar aleancat në Evropë dhe Azi në një përpjekje për të paraqitur një front të bashkuar kundër Pekinit.
Biden ka rigjallëruar “Quad”, një grup sigurie që përfshin Australinë, Japoninë dhe Indinë.
Ndërkohë, edhe kinezët kanë bërë patrullime të përbashkëta ushtarake me Rusinë dhe kanë bërë stërvitje me partnerë në Azi.
Pavarësisht përplasjeve të forta tregëtare dhe deklaratave të ashpra nga të dyja palët, amerikanët dhe kinezët gjetën dakordësinë këtë javë për të lëshuar një deklaratë për media, duke u zotuar se do të punojnë së bashku në fushën e ndryshimeve klimatike.
Në dokument thuhet se këto shtete janë zotuar se do të zhvillojnë strategji afatgjatë me qëllim të arritjes në nivelin e emetimeve zero të karbonit në atmosferë, ku Kina dhe Amerika janë dy nga ndotësit kryesorë të planetit.

