Raporti: 60 % e fëmijëve njohin dhunën, vetëm përgjatë nëntorit 3 raste të dhunës e abuzimit seksual

Vetëm ditët e para të nëntorit në vend janë zbuluar disa histori ku fëmijët kanë qenë viktima të dhunës fizike dhe asaj seksuale. Një raport "World Vision Albania", thotë se 60 % e fëmijëve janë dhunuar ose kanë parë një formë të dhunës në familje. Nga ana tjetër, vetëm 22 % e prindërve thonë se kanë njohuritë, aftësitë dhe mundësitë për të zgjidhur problematika që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve.

Tre histori të dhunës fizike dhe seksuale ndaj fëmijëve janë zbuluar në dy javët e fundit në Shqipëri.

Sipas të dhënave të "World Vision Albania", 60% e fëmijëve rezultojnë të jenë subjekt i dhunës, ose kanë parë dhunë në familje.

"Fatkeqësisht duket sikur ka një rritje të raste të dhunës ndaj fëmijëve në Shqipëri," tha  Diana Kanaj, këshilltare për programin e mbrojtjes së fëmijëve.

Pandemia Covid-19, sipas ekspertëve i ka rrezikuar më shumë.

"Praktikisht situata e vështirë në të cilën po jetojmë, situata e Covid duket sikur i ka vënë fëmijët edhe më shumë në risk," tha Kanaj.

Përballë këtij realiteti të krijuar nevojitet ndërgjegjësim i shoqërisë dhe të gjitha hallkave vendimmarrëse.

"Ka nevojë që të gjithë ne si shoqëri të vihemi përpara pozitës dhe të ndërgjegjësohemi; e para kush janë fëmijët që janë të dhunuar, kush janë fëmijët më vulnerabël dhe e dyta çfarë mund të bëjmë ne më shumë," tha Kanaj.

Një labirint me sipërfaqe rreth 400 m², është vendosur në sheshin përballë Bashkisë Shkodër, duke ftuar qytetarët të bëhen pjesë e një eksperience reflektuese, por njëkohësisht dhe sfiduese, duke synuar informimin e tyre për çështje të përditshme, të lidhura me dhunën ndaj fëmijëve.

Sipas statistikave vetëm 22% e prindërve/kujdestarëve në vendin tonë deklarojnë se kanë njohuritë, aftësitë dhe mundësitë për të zgjidhur siç duhet problematika me të cilat përballen ata vetë apo komuniteti i tyre, këtu përfshirë edhe problematika që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve.