Kosova njofton 3 largime nga grumbullimi, ka probleme me disa lojtarë
Kosova ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e fundit per këtë vit, ndaj Jordanisë dhe kundër Greqisë. E para do të jetë miqësore ndërsa e dyta, dueli i fundit eliminator teksa trajneri i përkohshëm, Primoz Gliha është përballur menjëherë me problemet nga dëmtimet.
Siç njofton FFK, janë 3 lojtarë që ishin shpallur në listën e grumbullimeve dhe që nuk do të jenë me dardanët në këto dy ndeshjet e fundit.
“Sot ka filluar grumbullimi i ekipit kombëtar për dy ndeshjet e fundit të vitit 2021, miqësoren ndaj Jordanisë, që zhvillohet të mërkurën në Prishtinë dhe përballjen e fundit kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katar 2022”, që zhvillohet të dielën ndaj Greqisë në Athinë. 3 futbollistë që ishin pjesë e listës së përzgjedhësit Gliha nuk do t’i bashkohen ekipit në këtë grumbullim. Elbasan Rashani ka pësuar lëndim në ndeshjen e djeshme me klubin e tij, kurse Lirim Kastrati e Bersant Celina me kërkesën e tyre për shkak të situatave respektive në klubet e tyre janë liruar nga obligimet me ekipin kombëtar për këtë grumbullim. Po ashtu mbetet për t’u vlerësuar situata e Zymer Bytyqit, që ka pësuar lëndim në ndeshjen e djeshme me klubin e tij. Bytyqi është duke i kryer ekzaminimet mjekësore me klubin e tij dhe më pas do të merret vendimi definitiv për të”, njoftoi zyrtarisht Federata e Futbollit të Kosovës në deklaratën e saj./Ora News/.
