Ibrahimoviç për të ardhmen: Trupi im po plaket, por po rinohem çdo ditë

Është 40 vjeç dhe nuk di të ndalet. Zlatan Ibrahimoviç është rikthyer në kombëtaren e Suedisë ku dhe pritet të luajë pas shumë kohësh. Bomberi duhej të luante në Euro 2020 me nordikët por dëmtimet e shpeshta e penguin dhe gjatë një conference nga grumbullimi me kombëtaren ai foli për të ardhmen dhe formën fizike ku si gjithmonë batutat nuk mungojnë.

“Nuk kam caktuar një datë për t’u tërhequr, dua të vazhdoj sa më gjatë që të jetë e mundur dhe të mos mendoj se kur do të përfundoj. Gjithmonë mësohet dicka e re çdo ditë, çdo ditë që kalon un e njoh trupin tim më mirë. Por ndërsa trupi im po plaket, koka ime po bëhet më e re dhe kam një pamje më të bukur”.

Ibrahimoviç tha se ndihet i lumtur që është rikthyer për të luajtur sigurisht dhe në dy sfidat e ardhshme, ai nuk dëshiron të mungojë.

“Jam pjesë e grupit dhe dua të ndihmoj ekipin. Të gjithë duam të luajmë, por duhet të gjej ekuilibrin e duhur duke marr parasysh dëmtimet që kam patur kohët e fundit. Në sezonin e kaluar kisha më shumë dëmtime se zakonisht. Ajo që ka ndryshuar në krahasim me të kaluarën është se tani kam një fizioterapist në Itali te Milani që më përcjell 24 orë në ditë. Sapo ndiej diçka, menjëherë marr kurën e duhur”, deklaroi Zlatan, i cili është ndër shënuesit më të mirë të Suedisë me 62 gola në 118 ndeshje me fanellën e kombëtares./Ora News/.