Abuzimet me të miturit, psikologia Turtulli: Fëmijët e dhunuar kuptohen, ndryshojnë sjellje, bëhen të mbyllur

Skandalet seksuale me të mitur vijojnë të trondisin vendin tonë. Së fundmi është zbuluar se drejtori i shkollës në fshatin Stropckë të Pogradecit ngacmonte dy vajza 14 vjeçare.

Në lidhje me abuzimet me të miturit psikologia Milena Turtulli, në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini shprehet se shkaqet janë komplekse ndërsa shton se dhuna e cila shprehet në një shumëllojshmëri formash është kthyer në një formë tradite në familjet tona.

Milena Turtulli: Shkaqet janë shumë komplekse. Së pari duhet thënë se dhuna në shoqërinë shqiptare është gati një formë tradite, një ritual që gjen shprehje në të gjitha shtëpitë shqiptare. Dhuna është shprehur në një shumëllojshmëri formash.  Kjo brumos një fëmijë shumë të vigël. Një fëmijë që rritet në mënyrë të gabuar përsa i përket qasjes seksuale, qasjes nga seksit tjetër, sigurisht që nuk do të ketë një formë normale të të ndërsjellurit, do ketë një formë të gabuar, formë që çon deri në pedofili.

Për psikologen një fëmijë që është i dhunuar ose ngacmohet seksualisht dallohet pasi ndryshon formën e sjelljes së tij. Sipas saj një nga shenjat për të dalluar një fëmijë që ka rënë pre abuzimeve apo dhunës është se ai tenton që të izolohet.

Milena Turtulli: Marrja e informacionit, trajnimi në këtë fushë lehtëson dallimin e atyre simptomave që bëhen më të dukshme. Një fëmijë që po kalon një dhunë ka ndryshime në sjelljen e tij të zakonshme. Pikësëpari e dallon mësuesja. Një fëmijë që ndryshon sjellje në mënyrë ekstreme, tenton të izolohet, janë shenja  që një mësues që të dallojë. Rasti duhet të referohet tek psikologu i shkollës. Fëmijët i shfaqin simptomat, pra nëse është një fëmijë i hedhur mbyllet dhe anasjelltas. Pra ndryshimet ekstreme të sjelljes janë një pikëpyetje që një prefesionist i shëndetit mendor duhet ta ketë në vëmendjen e tij për të parë se çfarë nuk shkon me fëmijën. Shumica e abuzimeve ndodhin nga njerëz që janë të njohur në rrethin e njohjeve të fëmijës, nuk ndodhin nga njerëz të panjohur.

Më tej psikologia shprehet se në familjet tona nuk u mësohet fëmijëve që të mbajnë një distancë të shëndetshme nga familjarët.

Milena Turtulli: Shumë shenja në familjet tona injorohen dhe nuk vihen re shumë. Në familjet tona ende nuk mësohet që të mbajnë një distancë të shëndetshme nga familjarët, të flenë më vete, cilat prekje janë të tolerushme dhe cilat jo. Edukimi seksual te ne është një tabu.