Ligji për pagat/ Mjekët ultimatum qeverisë në Kosovë, ja çfarë kërkojnë
Mjekë dhe infermierë të Kosovës i dhanë ultimatum qeverisë që t'i konsultojë për ligjin e ri mbi pagat, ose do e bllokojnë sistemin shëndetësor.
Profesionistët e shëndetësisë të përfaqësuar nga sindikatat protestuan të hënën para kryeministrisë.
Në sheshin afër godinës qeveritare, ata lanë këpucët dhe veshjet e punës, për të simbolizuar se ndjehen të braktisur.
“Neve ato papuçe që siç po e shihni kanë mbetur të zbrazura e që kanë me mbetur me mijëra, e mijëra sepse truri i Kosovës fal politikave të gabuara që jeni duke i bërë është kah shkon. Prandaj, e keni shansin e fundit.
Ne edhe një javë ditë do të presim duke respektuar edhe kampanjën zgjedhore, ndërsa duke filluar nga java e ardhshme nuk garantoj se do fillohet me bllokimin e sistemit shëndetësorë.
Andaj, vendosni ju, kjo është në dorën tuaj, ju e keni politik-bërjen, ju i keni mjetet, ne e kemi vetëm trurin dhe duart që ju nuk po na lejoni t’i shfrytëzojmë. Duke i zhveshur këto mantelet në mënyrë simbolike duke treguar se kjo do ndodh në vitet në vijim në këto mantelet dhe papuçe do i veshin në perëndim fëmijët tanë.
Lus dhe përkulem para të gjitha instancave që ta shndërroni këtë problem në problem nacional, sepse ikja e një gjenerata të tërë nuk është komoditet që ka populli i Kosovës.”
Ligji për pagat në sektorin publik pritet të zbatohet nga janari i ardhshëm dhe shpresohet që të adresojë pagat e ulëta në sektorin shëndetësor, pasi po bëhen faktor për largimin e kuadrove.
Krah punonjësve shëndetësorë dolën të hënën edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
“Unë do jemi çdo herë përballë kërkesave të të gjitha sindikatave kur ata kanë nevojë. Në këtë rast kërkoj nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt t’i thërras sindikatat për dialogun social dhe sa më shpejt ministrat e Qeverisë së Kosovës t’i thërrasin sindikatat që kanë nevojë për dialogun sociale dhe që sa më shpejt të filloj dialogu social.
Ne sot këtu do e përkrahim FSShK-në, ftojë Qeverinë që t’i dërgojë përfaqësuesit e vetë në Këshillin Ekonomiko-Social sepse siç e dimë Këshilli Ekonomiko-Social ka shumë probleme që duhet patjetër t’i zgjedhin, përndryshe ne si BSPK jemi në përgatitjen e veprimeve sindikale.”
“Kam ardhur që t’i them Qeverisë që të dëgjoj këtë masë njerëzish që përfaqësojnë tërë sistemin shëndetësorë të cilët koha i kthejë në heronj që po luftojnë dhe kanë luftuar kundër vdekjes.
Lus Qeverinë që të bashkohet dhe të flas me ne në mënyrë që ky shesh të mos jetë plotë njerëz në mënyrë që sistemit arsimor mos t’i kthehet ajo greva 3 javore, ne jemi duke u përgatitur për dialog por nëse dialogu mungon, nëse Ligji nuk punohet bashkë me Sindikata dhe të shkoj dhe të fillohet nga janar së implementuar atëherë sistemi arsimor do jetë i tëri i bllokuar dhe do të kemi greva dhe do kemi humbje orësh dhe për këtë ne nuk jemi fajtor.”
Kryeministri Albin Kurti ka propozuar që paga minimale në Kosovë të rritet në 250 euro nga 170 që është, por sindikatat për sektorin privat kërkojnë që të jetë 350 euro, përndryshe nuk i paguajnë dot as faturat e zakonshme dhe kreditë./Ora News/


