Situata shqetësuese në Greqi/ Mbi 4 mijë raste të reja dhe 52 viktima nga Covid-19 vetëm në 24 orë

Ministria e Shëndetësisë në Greqi ka njoftuar sot se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 4.307 raste të reja me Covid-19, ndërsa 52 pacientë të infektuar kanë humbur jetën, duke çuar numrin total të viktimave në 16.295.

Autoritete vendase bëjnë me dije se 470 pacientë janë të intubuar, nga të cilët 382 janë të pa vaksinuar, ose pjesërisht të vaksinuar.  

Më shumë se 6 milionë grekë apo mbi 60%  e popullsisë është vaksinuar plotësisht kundër Covid-19.

Ministri grek i Shëndetësisë, Thanos Plevris, tha të martën (2 nëntor)  se pavarësisht situatës, vendi nuk do të rifutet në izolim.

Përpara takimit të komitetit të ekspertëve, disa nga masat e propozuara raportohet se lidhen me inkurajimin e dozës së tretë të vaksinës, me rritjen e distancave fizike mes klientëve në bar-restorante dhe me kontrollin e shtuar për të pavaksinuarit në sektorët e kateringut dhe argëtimit.

Për shkak të situatës epidemiologjike, mësohet se  disa zona do të "vizatohen" të kuqe, ku klubet e natës duhen të mbyllen në orën 1 të mëngjesit, do të ndalohet muzika, të gjithë punonjësit e vaksinuar do të testohen me shpenzimet e veta dhe do të rikthehen maskat për të gjithë./Ora News/