Opozita maqedonase kërcënon Zaevin: Të ikë ose do e rrëzojmë

Partia e Maqedonisë së Veriut, VMRO-DPMNE, i ka dhënë ultimatum kryeministrit Zoran Zaev të dorëhiqet brenda ditës së hënë, ose opozita do e rrëzojë atë në parlament.

Kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickoski, njoftoi se në vend është krijuar një shumicë e re pas zgjedhjeve lokale të muajit të kaluar, ku socialdemokratët e Zaevit u mundën thellë.

“Nuk e kam problem të jem në cilëndo qeveri ku ka shumicë, por në këtë rast shumicën e kemi ne me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën, dhe me Lëvizjen Besa," tha Mickoski.

Nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës shtoi se "Shumica e re është përgjigja më e mirë ndaj thirrjeve të presidentit Bajden, BE-së dhe miqve të tjerë ndërkombëtarë për t'i dhënë fund qeverisjes me funksionarë që janë në listën e zezë të SHBA-së.”

Lidhja Socialdemokrate, në reagimin e parë e kritikoi aleancën e re rivale, duke e komentuar si një grup partish që janë kundër integrimit euroatlantik të vendit.

Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit, që tani po ndan pushtetin qendror, ftoi të dielën në takim Këshillin e Përgjithshëm të Partisë.

Shumica aktuale parlamentare ka 62 deputetë, por me largimin e tre deputetëve të Besës shumica bie.

LSDM-ja e Zaevit në zgjedhjet lokale humbi Shkupin dhe mbi gjysmën e komunave, duke e shtyrë të largohet nga kryeministria edhe pse vendimi nuk i është paraqitur ende parlamentit që po përgatit mocionin e mosbesimit ndaj tij./Ora News/