Shlyhen faturat e komunave veriore në Kosovë, Operatori i Transmetimit të Energjisë ndan 6,7 mlionë euro

Komunat veriore të Kosovës që nuk i shlyejnë prej vitesh detyrimet për energjinë dhe ujin, do të kompensohen me para shtesë nga qytetarët e tjerë.

Operatori i Transmetimit të Energjisë ka ndarë 6,7 milionë euro për pagesat në Mitrovicën e Veriut, në Leposaviq, Zveçan dhe në Zubin-Potok.

Në këto zona me shumicë serbe, faturat nuk paguhen që nga viti 1999 dhe autoritetet nuk kanë pasur qasje te aparatet matëse.

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e kritikon qeverinë Kurti se nuk po i jep zgjidhje një çështjeje të cilën e kritikonte vetë kur ishte në opozitë.

“Ka qenë pikërisht Lëvizja Vetëvendosje në kohën sa ka qenë e në opozitë ka qenë shumë e zëshme ndaj pagesës së shpenzimeve të rrymës në katër komunat veriore. Më vjen jashtëzakonisht keq në qoftë se kostoja prej 11 milionë eurosh tani veç ka shkuar në 17.7 milionë. Këto mjete të KOSTT-it janë mjete të buxhetit të Kosovës... Më vjen keq që deri më sot nuk e kemi parë asnjë hap konkret për adresimin e kësaj çështjeje, e cila është jashtëzakonisht e dëmshme dhe e kushtueshme," tha Bajrami.

Nga viti 1999 deri në vitin 2017, borxhin e krijuar te operatorët kosovarë e kanë paguar qytetarët e tjerë, përmes faturave 3.5 për qind më të shtrenjta të cilësuara të paligjshme me gjykatë.

“Si u paguan nga qeveria, si u paguan nga faturat tona, prapë jemi ne si konsumator që po paguajmë për atë pjesë të veriut. Dhe në këtë kuptim konsideroj që, arsyetimi që është dhënë atëherë, ka qenë vetëm një justifikim për të vazhduar këtë pagesë nga ana e qytetarëve të pjesës tjetër të Kosovës," tha Abazi.

Katër komunat shpenzojnë energji që vlerësohet rreth 8 milionë euro në vit.

Presidenti Aleksandër Vuçiç tha këtë javë se ai pret që autoritetet e Kosovës po bëjnë gati mekanizmat për të aplikuar faturat për qëllime politike, dhe i këshilloi Prishtinën të mos e tentojë.

"Faktorët relevantë ndërkombëtarë duhet ta kuptojnë seriozitetin e situatës në të cilën gjendemi, dhe të kuptojnë që veprimet e njëanshme të Prishtinës për këtë çështje mund të rrezikojnë situatën e sigurisë,” theksoi Zyra për Kosovën në qeverinë serbe.

Beogradi pretendon se pala shqiptare do e rritë presionin mbi komunat duke marrë nën kontroll nënstacionin e Valaçit në Zveçan, i cili plotëson 85 për qind të nevojave për energji në veri.