Kriza ushqimore, 55% e afganëve në rrezik për bukën e gojës

Kombet e Bashkuara thonë se 23 milionë ose 55% për qind të popullsisë afgane e pret kriza e thellë ushqimore.

Në fundjavë, Programi Botëror për Ushqimet shpërndau ndihmat më jetike për banorët e Kabulit.

Afganistani nuk po përball vetëm përplasje të izoluara dhe dhunë nën regjimin taliban, por edhe klima po tregohet e ashpër me zonat rurale të vendit, që vuajnë thatësirën e madhe.

"Po u ndajmë pako me miell, kallinj misri dhe bizele, vaj, paketa ushqimore për fëmijët e vegjël dhe për nënat me gji. Ky është raundi ynë i dytë i ndihmave për 1,660 familje në çdo distrikt."

Në javën e fundit të shtatorit, mbi 1 milion afganëve iu ofruan ndihma dhe nga 1 shtatori vendin po e asistojnë agjencitë e OKB-së dhe ato partnere.

Vendi vlerësohet se është në rënie të lirë pas tërheqjes së trupave të huaja në muajin gusht, dhe ardhja e talibanëve është shoqëruar me rritje papunësie e çmimesh në një kohë kur monedha vendëse e ka humbur vlerën.

"Kushtet si po jetojnë njerëzit janë tejet të këqija. Nuk kemi asgjë në darkë, ndaj ju falënderojmë për ndihmat."

"Jemi të varfër. Unë jam e varfër dhe e papunë me fëmijët, ndërsa burri im qëndron në shtëpi ngaqë nuk punon dot. Edhe në dimër nuk e di si do të ngrohemi. Ka njerëz që po shesin fëmijët për të mos vdekur nga uria."

Situatën në Afganistan e ka komplikuar situata politike dhe sociale, por ajo është rrjedhojë edhe e 40 viteve luftë, fatkeqësi natyrore, varfëri kronike dhe prej pandemisë së Covid-19./Ora News/