Tetë të vdekur në festivalin e Travis Scott në Teksas si pasojë e turmës
Të paktën tetë persona kanë vdekur dhe dhjetëra njerëz janë lënduar në natën e hapjes së një festivali muzikor në Hjuston, Teksas si pasojë e turmës.
Paniku është rritur pasi turma filloi të ngjishej drejt pjesës së përparme të skenës në Festivalin Astroworld të Travis Scott, thanë zyrtarët e urgjencës.
Njëmbëdhjetë persona u dërguan në spital me arrest kardiak dhe tetë vdiqën.
Rreth 300 njerëz pësuan plagë të tilla si prerje dhe mavijosje. Në festival mësohet se morën pjesë rreth 50.000 persona.
Politikania lokale Lina Hidalgo, gjykatëse e qarkut të Harris County, e përshkroi atë që kishte ndodhur si një "natë jashtëzakonisht tragjike".
"Zemrat tona janë thyer," tha ajo. "Njerëzit shkojnë në këto ngjarje për të kaluar mirë, nuk është lloji i ngjarjes ku shkoni të pësoni fatalitete."
Incidenti filloi rreth orës 21:15 të së premtes, 5 nëntor tha shefi i zjarrfikësve të Houston, Samuel Peña.
"Turma filloi të ngjishej drejt pjesës së përparme të skenës dhe njerëzit filluan të përjetojnë panik," u tha ai gazetarëve.
"Ndërsa përplasja filloi të shkaktonte lëndime te njerëzit, paniku u rrit," tha zoti Peña.
Sipas Houston Chronicle, Travis Scott, i cili organizoi festivalin, u ndal disa herë gjatë performancës së tij 75-minutëshe kur vuri re fansat në ankth pranë pjesës së përparme të skenës.
Reperi i kërkoi sigurimit të shikonte nëse ata ishin mirë dhe t'i ndihmonin të dilnin nga turma.
Organizatorët e ndërprenë koncertin kur u vu re se shumë njerëz ishin lënduar.
Dita e dytë dhe e fundit e festivalit, të shtunën, është anuluar, shkruan BBC.
