Shpërthen cisterna me naftë, mbi 90 viktima dhe qindra të plagosur
Përplasja mes një kamioni dhe autocisterne që transportonte nafte ka lënë mbi 90 viktima në shtetin afrikan të Sierra-Leones. Mjeti mori flakë teksa qytetarët ndodheshin aty për të marrë naftën që po rridhte.
Shpërthimi i fortë i një cisterne nafte në kryeqytetin e Sierra-Leones shkaktoi të premten më shumë se 90 viktima.
Ngjarja ndodhi në mbrëmje në rrethinat e Fritaunit, pasi një kamion goditi aksidentalisht autocisternën.
Dhjetëra viktima ishin duke mbledhur naftën që rridhte nga mjeti i çarë, kur një shkëndijë provokoi shpërthimin që dogji ata dhe përhapi flakët edhe në dyqanet e shtëpitë përreth.
Mbi 90 trupa u dërguan në morgun qendror të shtetit afrikano-perëndimor.
"Të ngjallin tmerr fotot dhe pamjet filmike që po qarkullojnë në rrjetet sociale. Ka fjalë se kanë vdekur mbi 100 veta," tha kryebashkiaku i qytetit portual.
Presidenti i Sierra Leones ndodhet në Skoci në vazhdën e samitit për klimën dhe ngushëlloi nga interneti familjet që humbën të dashurit dhe të plagosurit.
