Votohet paketa për infrastrukturën në SHBA, 1 trilionë dollarë investime për 8 vite

Kongresi amerikan e ka mbështetur paketën 1-triliondollarëshe të qeverisë për të investuar në infrastrukturë.

Paketa mori 228 vota pro dhe 206 kundër në Dhomën e Përfaqësuesve, një vendim që presidenti Joe Biden e quajti hap monumental për vendin.

Infrastruktura është një prej shtyllave të vizionit 3-trilionëdollarësh që ai ka për zhvillimin e ekonomisë.

"I kërkoj çdo anëtari të dhomës të votojë pro nismave. Në brezat e ardhshëm, njerëzit do e kujtojnë këtë si koha kur Amerika e fitoi garën ekonomike të shekullit të 21-të," tha Joe Biden.

Investimet në infrastrukturë parashikojnë 550 miliardë dollarë shpenzime nga ana e qeverive federale, përgjatë një periudhe tetëvjeçare, për të përmirësuar cilësinë e autostradave, rrugëve dhe urave, dhe për të modernizuar sistemet e transportit.

Marrëveshja parasheh edhe investime në sistemin e ujit të pijshëm, në internetin me shpejtësi të lartë dhe në ngritjen e një rrjeti karikimi për makinat elektrike.

Të premten, nisma e demokratëve u mbështet nga 13 republikanë, ndërsa 6 demokratë votuan kundër saj.