Vasili: Me largimin e Zaevit ‘Open Balkan’ në krizë, Shqipëria do të bëhet fasoneri e Serbisë
Në një intervistë për RTV Ora, nënë kryetari i LSI-së, Petrit Vasili u shpreh se me largimin e Zaevit nisma ka hyrë në një krizë përfaqësimi.
Ai theksoi se Rama ka një qasje përçmuese ndaj BE-së duke e paraqitur si një mekanizëm të mbyllur që nuk do të hapet ndaj vendeve dhe një ekzaltim për Open Ballkan që nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të mbajtur me oksigjen dy autokratë.
Vasili: Sot nuk ishte veprimi i parë i Ballkanit të Hapur, por me largimin e Zaevit nisma ka hyrë në një krizë përfaqësimi. Njëherazi e kam quajtur tradhti sepse Edi Rama është i lumtur që Kosova nuk është pjesë e nismës. Rama ka një qasje përçmuese ndaj BE-së duke e paraqitur si një mekanizëm të mbyllur që nuk do të hapet ndaj vendeve dhe një ekzaltim për Open Ballkan që nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të mbajtur me oksigjen dy autokratë. BE e ka mbështetur shumë integrimin e vendit tonë edhe pse kemi një qeveri e vend i mbërthyer në korrupsion dhe me një krizë ekonomike nga më të rëndat.
Kështu i hapet Serbisë portet shqiptare dhe i mundësohet si një vend më i fuqishëm një dërrmim të ekonomisë vendit tonë. Në do të kthehemi në një fasoneri të lëndëve bujqësore të Serbisë. Ekonomia serbe ecën mirë dhe gjen këtu një tokë dhe ambient dhe do të bëjë një evazion pa ndalim. Gara mes një bujqësie të subvencionuar mirë dhe asaj me pak subvencione nuk ka nevojë për fjalë. Edhe Maqedonia ka një subvencion më të mirë se sa Shqipëria dhe kanë produkte shumë më të mira se vendi ynë. Kështu do të vijë një kolaps ekonomik që sa vjen e thellohet. Pra, kjo është një festë për Serbinë dhe një mënyrë për Shqipërinë.
Vasili shtoi se ka një problem shumë të fortë moral dhe shpirtëror në raport me Kosovën dhe Serbinë, sepse ka gjenocid në këtë mes.
Vasili: Arsye pse u ndërhy në Kosovë qe gjenocidi, zhdukja fizike e njerëzve. Ka një problem shumë të fortë moral dhe shpirtëror, sepse ka gjenocid në këtë mes. Nuk mund të imagjinonim kurrë që një kryeministër shqiptar ka hedhur në gjyq një ish luftëtar të Kosovës. Po ashtu nuk mund të kuptohet se si një kryeministër shqiptar ka shkuar më shumë ne Serbi se sa në Kosovë. Të gjithë kryeministrat e tjerë kanë qenë shumë të kujdesshëm me Kosovën. Rama i ka përbuzur kryeministrat e Kosovës. Projekti i Ramës është një Pazar mes tij dhe Vuçiçit.

