Zvicra dëbon kosovarin problematik, akuzohet për 12 vepra penale, "bota ju përmbys" pas divorcit me gruan

Një 61-vjeçar me origjinë nga Kosova por rezident në Zvicër prej vitit 1983 është dëbuar nga autoritetet shtetërore zvicerane për shkak veprave penale të kryera.

Malushi (emri i ndryshuar i personit në fjalë), së fundmi ishte gjykuar nga Gjykata e Qarkut në Lenzburg për djegien e një makine, vandalizimin e një makine tjetër si dhe lëndimin e një personi.

Siç raportohet nga “Aargauer Zeitung”, shqiptari akuzohet për 12 vepra penale si zjarrvënie, lëndim trupor, dëmtimi prone, keqpërdorim, kërcënim dhe tentativë për shtrëngim.

Po ashtu në aktakuzë përfshihen edhe disa kundërvajtje në trafikun rrugor.

Ai kishte qenë në paraburgim për 176 ditë por u la i lirë në mars të këtij viti.

Paraburgimi ju zëvendësua me terapi ambulantore në spital por pa të drejtë largimi nga Zvicra, sepse sipas raportit psikiatrik “Malushi”, është diagnostikuar me një çrregullim afektiv bipolar.

Kjo ka ndikuar që atij t’i lehtësohet dënimi.

“Vitin e kaluar unë i kam rënë murit me kokë”, është shprehur Malushi në gjykatë.

Sipas raportimit të gazetës zvicerane, situata e tij u përkeqësua pas ndarjes nga bashkëshortja.

Zjarrvënie e vandalizim makinash

Nga 12 veprat që rëndojnë mbi të është zjarrvënia. Duke u bazuar në aktakuzë 61 vjeçari donte të hakmerrej ndaj një të njohuri për shkak të një “konflikti që kishte ndodhur vite më parë”.

Për këtë qëllim, ai i kishte vënë zjarrin makinës së tij në një parking të kompanisë në Othmarsingen duke përdorur një koktej molotovi dhe kishte shkaktuar 20 mijë franga dëme materiale, kjo sipas prokurorit publik.

Sipas prokurori, ai kishte treguar “energji të konsiderueshme kriminale” sepse e kishte planifikuar veprimin e tij në detaje: për shembull, ai kishte mësuar si prodhohet bomba Molotov, kishte zgjedhur pikërisht një natë me shi, kishte çmontuar paraprakisht targat e tij dhe e kishte deponuar telefonin e tij mobil në një dyqan.

61-vjeçari nga Kosova jetonte në Zvicër që nga viti 1983 ku kishte bërë punë të ndryshme, përfshirë dhe shitjen e makinave të përdorura.

“Ndonjëherë bëja një fitim të vogël, ndonjëherë fare ose humbja”, deklaroi ai para gjykatës.

Në një rast, kur “Malushi” nuk kishte marrë paratë e tij nga një shitje, bëhet fjalë për rreth 400 franga dhe kishte parë makinën të parkuar në Zurich, “nga inati, ai kishte vendosur të prishte makinën me një shufër hekuri dhe të thyente të gjithë xhamat.

Lidhur me këtë rast Malushi thotë se kishte dashur që ta bënte makinën e palëvizshme.

Më pas, personi i njohur Patrisi, ai i cili e kishte huazuar makinën nga pronari i ri, kishte ndërhyrë, por Malushi kishte vazhduar ta godiste Patrisin në kyçin e dorës së djathtë, duke i shkaktuar një ndrydhje dhe duke i prishur orën e dorës.

Prokuroria publike ka kërkuar 30 muaj burg plus terapi ambulatore, 40 njësi ditore prej 20 frangash dënim me para, 1000 franga gjobë dhe dëbim dhjetëvjeçar nga vendi. Gjithashtu, sipas prokurorisë, Malushi duhet të kryejë shpenzimet e hetimit, procedurave dhe ndjekjes penale gjithsej 22 mijë e 240 franga).

Ndërsa kryetarja e Gjykatës, Danae Sonderegger Coradi, ka pranuar shumicën e kërkesave, por në vendimin e saj i ka shqiptuar 30 muaj pjesërisht të kushtëzuar: 24 muaj janë shlyer dhe vetëm gjashtë muaj duhet t`i mbajë si burg efektiv, të pakushtëzuar.

Por, kaq dhe madje më shumë muaj ai i ka vuajtur tashmë në paraburgim dhe ditët e tepërta të paraburgimit do të llogariten në çdo paraburgim të shqiptuar për ndonjë vepër të re.

Terapia ambulatore nuk i është urdhëruar pasi Malushi do të dëbohet nga vendi pasi vendimi të ketë marrë formë të prerë.

Sipas deklaratës së tij, Malushi tani dëshiron të plaket në Kosovë dhe të kujdeset për nënën e tij.