Veting për defektet në drejtësi, Kurti kërkon konsensus politik: Do rrisë profesionalizmin, verifikohet pasuria

Qeveria e Kosovës ka kërkuar konsensus politik për të ndryshuar kushtetutën dhe për të mundësuar vetingun në sistemin e drejtësisë, që të ndreqë defektet e tij. Qëllimi është të rritet profesionalizmi dhe integriteti në radhët e prokurorisë dhe gjykatave.

Kosova shpreson që nëpërmjet vetingut të prokurorëve dhe gjyqtarëve do të rritë integritetin e tyre, do të luftojë korrupsionin dhe do e ndajë krimin nga politika dhe sistemi i drejtësisë.

Koncepti u miratua në tetor dhe të mërkurën u mbajt takimi i parë i grupit që do e hartojë dhe finalizojë procesin.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se ka mungesë llogaridhënieje dhe drejtësia selektive po e mban të brishtë sistemin.

Kurti: Përgjigje ndaj defekteve dhe dështimeve të tilla për drejtësinë është vettingu, vettingu do të siguroj vlerësimin e mirëfilltë dhe profesional të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të performancës dhe profesionalizimit të tyre si dhe të verifikoj pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Do të doja të potencoja rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe kushtetues me sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial pasi që përgjigja pozitive ndaj reformës sidomos nga ky sistem do të tregonte maturi dhe vullnet për reformat të cilat drejtësisë do i sjellin rezultate pavarësi profesionalizëm dhe besim. Reformat e këtilla duhet kuptuar si garantues më të madh të mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit edhe për faktin se ekuilibri brenda pushtetit dhe mes pushteteve ka për detyrë ta siguroj këtë.

Në një shtet funksional sundon ligji dhe drejtësia është efikase, u tha Kurti pjesëmarrësve të shumtë nga shoqëria civile.

Kurti: Fatkeqësisht sistemi ynë i drejtësisë është i brishtë në mungesë të rezultateve dhe llogaridhënies e me drejtësi selektive të pabarabartë. Mungesa e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe prokurorial vazhdon ta karakterizoj sistemin e drejtësisë.  Kjo reformë do eliminoj mungesën e qasjes në drejtësi për qytetarët dhe do garantoj rezultate cilësore dhe kthim të besimit të qytetarëve në drejtësi. Sepse na duhen gjyqtar të drejtë dhe efikas dhe prokuror me integritet dhe energjik. Pra, duhet përqendruar në hapat të atillë që do kenë për qëllim të fundit sigurimin e prokurorisë efikase, gjyqësorit të drejtë dhe së fundmi fuqizimit të llogaridhënies të sistemit gjyqësor.

Vetingu në Kosovë pritet të fillojë në vitin 2022 dhe do të tregojë gjendjen brenda sistemit të drejtësisë përmes një mekanizmi të pavarur nga ai vetë.

Kohëzgjatja e procesit do të jetë 5 vite, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ndryshimi i Kushtetutës do të varet nga mirëkuptimi politik.

Haxhiu: Për fat të keq gjendja në të cilën ndodhen sot gjyqësori dhe prokuroria në vendin tonë shkaktohet pikërisht si pasojë e pavarësisë së pamjaftueshme ndikimit nga jashtë dhe mungesës së llogaridhënies dhe transparencës, prandaj për reformën në drejtësi kanë vendosur qytetarët e Kosovës dhe vettingu është çelësi për të garantuar sukses afatgjatë në këtë nismë. Ky proces do të mundësoj që brenda sistemit të drejtësisë të kemi gjyqtar dhe prokuror që kanë integritet të lartë moral dhe profesional.

Pra, para se gjithash është një proces që do i shërbej identifikimit të pjesës së shëndosh të dedikuar dhe përkushtuar të gjyqësorit dhe prokurorisë si dhe promovimit të më të mirëve në radhët e gjyqësorit apo gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nuk kemi nevojë të ndërlikojmë sistemin por të përdorim mekanizimin e sistemit për të garantuar një sistem të drejtësisë që të jetë sa më afër qytetarit, sa më të parashikueshëm që secili qytetar pa dallim të marr drejtësinë e duhur në kohë të duhur. Dje i kam dërguar ftesa gjitha grupeve parlamentare me qëllim të arritjes së një konsensusi politik për reformën në drejtësi dhe unë pres gjatë këtyre ditëve dhe javës së ardhshme të takohem me secilin grup parlamentar të Kuvendit të Kosovës.”

Komisioni Europian në progresraportin e fundit theksoi se Qeveria e Kosovës nuk duhet ta kryejë njëherësh rivlerësimin e plotë të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Në tryezën e së mërkurës munguan përfaqësuesit nga këshillat prokurorialë e gjyqësorë të vendit.