Buxheti 2021, rishpërndahen fondet për Ministrinë e Mbrojtjes, ja programet që marrin pjesën e "luanit"

Qeveria miratoi në mbledhjen e kësaj të premteje një rishpërndarje fondesh në buxhetin 2021 për Ministrinë e Mbrojtjes.

Programet për mbështetjen shëndetësore dhe arsimin janë parë si më të rëndësishmet pasi janë ato që do të kenë një shtim fondesh mbi 169 milionë lekë.

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Rishpërndarjen e fondeve për shpenzime korrente, ndërmjet programeve brenda buxhetit të vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes, si më poshtë vijon:

a) Në programin 07340 – “Mbështetja shëndetësore”, të shtohet fondi 107 600 000 (njëqind e shtatë milionë e gjashtëqind mijë) lekë;
b) Në programin 09430 – “Arsimimi ushtarak”, të shtohet fondi 62 000 000 (gjashtëdhjetë e dy milionë) lekë;
c) Në programin 02120 – “Forcat e luftimit”, të pakësohet fondi 143 200 000 (njëqind e dyzet e tre milionë e dyqind mijë) lekë;
ç) Në programin 10910 – “Emergjencat civile”, të pakësohet fondi 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind mijë) lekë.

2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.