Qeveria ul tatimin mbi pagat, forma e re e taksimit pritet të hyjë në fuqi në 1 korrik të vitit të ardhshëm
Nga korriku i vitit të ardhshëm qeveria do të ndryshojë sërish tatimin mbi pagat, duke rritur si dyshemenë për kufirin e pataksueshëm të pagës minimale në 40 mijë lekë nga 30 mijë lekë që është sot. Po ashtu pritet të ndryshohet dhe kufiri mbi të cilin pagat taksohen me normën maksimale prej 23%, në 200 mijë lekë, nga 150 mijë lekë që është sot. Ndërkohë, për pagat deri në 50 mijë lekë, sipas draftit të hartuar nga Ministria e Financave por që është ende në diskutim parashikohet përgjysmimi i tatimit për të ardhurat për fashën nga 30 deri në 50 mijë lekë, që sot është 13%.
Të gjitha të punësuarit do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat deri në fashën e 40 mijë lekëve. Ndryshe nga sa u premtua gjatë fushatës elektorale nga kryeministri Edi Rama, qeveria ka vendosur që masa e re do të hyjë në fuqi jo në janar por në korrik të vitit të ardhshëm.
Kështu të gjithë të punësuarit me pagën minimale deri në 40 mijë lekë, nga 30 mijë që është sot, nuk do të paguajnë tatimin mbi të ardhurat.
Një tjetër masë që pritet të hyjë në fuqi nga 1 korriku 2022 është edhe ulja e tatimit mbi të ardhurat për pagat mbi 150 mijë lekë.
Aktualisht janë rreth 13,647 punonjës me pagë mbi 150 mijë lekë që taksohen 23%, ndërkaq Ministria e Financave në relacionin e projektligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili është ende në formën e draftit paraprak thekson se do të taksohen me 23% kush paguhet mbi 200 mijë lekë në muaj.
Ndërkohë, për pagat deri në 50 mijë lekë, parashikohet përgjysmimi i tatimit për të ardhurat për fashën nga 30 deri në 50 mijë lekë, që sot është 13%.
Ministria e Financave thekson se efekti në buxhet i këtyre ndryshimeve pritet të jetë minus 1.37 miliardë lekë, ose 11.1 milionë euro. Ndërsa sa i takon vitit 2022, duke qenë se ky parashikim nis të zbatohet në korrik të vitit 2022, efekti negativ për vitin 2022 parashikohet të jetë -685 milion lekë.
Aktualisht me taksën progresive rrogat deri në 30 mijë lekë nuk tatohen. Pagat mbi 30 mijë lekë deri në 150 mijë lekë tatohen 13% e shumës mbi 30 mijë lekë. Nga rritja e pragut të pataksueshëm, qeveria thekson se do të përfitojnë 63% e të punësuarve në Shqipëri.
