Eurobondi 700 milionë euro, eksperti: Shqipëria merr borxh për të mbuluar gropat
Projektligji që i jep të drejtë qeverisë shqiptare për të kërkuar hua deri në 700 milionë euro u miratua ditën e sotme në Kuvend me 78 vota pro.
Eksperti i ekonomisë, Endrit Yzeiraj në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se problemi kryesor me Eurobondin nuk është shifra prej 700 milionë eurosh. Sipas tij, qeveria shqiptare një pjesë të madhe të borxhit e ka me maturitet afatshkurtër, pra çdo vit i skadon një pjesë e borxhit që duhet të paguajë dhe mënyra se si e ripaguan është duke marrë përsëri borxh për atë që ka skaduar.
Yzeiraj: Kjo shifra e madhe 700 milionë në fakt një pjesë e madhe është borxh që Shqipëria e ka tashmë, vetëm një pjesë e vogël është shtesë ndaj borxhit që kemi. Ky do të jetë Eurobondi i 5-stë që Shqipëria përpiqet të emetojë. Problemi tani është që edhe për shkak të rritjes së çmimeve, një pjesë e bankave qendrore nëpër botë po mendojnë të rrisin normat e interesit të tyre dhe kjo do të jetë efekt mbi rritjen e normës së interesit edhe mbi Eurobondin shqiptar. Kjo do të thotë se Shqipëria ka besuar se mund të fillonte të merrte borxh në tregjet kombëtare me norma të favorshme dhe mund të zgjidhet një ditë pas 4-5 vitesh dhe mund të shohë se do jetë duke paguar norma interesi shumë më të larta dhe ky do jetë problemi më i madh.
Sipas ekspertit, Shqipëria tani merr borxh për të mbuluar gropat dhe problemet e mëparshme. Marrja e një borxhi, sipas tij nuk ka një sukses të shtuar në vetvete.
Yzeiraj: Fakti është që Shqipëria ka hyrë në tregjet ndërkombëtare, merr borxh me normat e interesit pak a shumë ato që përcakton tregu, jemi pak më larg se mesatarja e rajonit, që do të thotë konsiderohemi ndër vendet e Ballkanit mbase një nga problematikët. Në momentin që hyn në këtë lojë nuk është më sukses që do vazhdosh të marrësh Eurobonde, do vazhdosh të marrësh sepse duhet të financosh borxhin, kjo bëhet rutinë. E rëndësishme pastaj është se si shpenzohet ky borxh, a financon ky borxh projekte publike të rëndësishme.
"Në periudhën 2010-2019 ekonomia shqiptare është rritur me një ritëm mesatar prej gati 2.7%," tha Yzeiraj.
Sipas tij megjithëse borxhi publik është marrë nga Shqipëria nuk ka stimuluar rritjen ekonomike që duhet ta stimulonte dhe ka bërë atë që treguesi i borxhit publik i cili duhet të ishte nën 60% në fatk ishte akoma në nivelet 67%.
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
