Vidhen bar kode të pasaportave jeshile të BE-së, dy janë në emër të Adolf Hitlerit
Disa bar kode të cilat lejojnë gjenerimin e "European Green Pass" janë vjedhur dhe bashkë me to edhe programet të cilat krijojnë certifikata false që u publikuan dhe shpërndanë online.
Nga burime të kualifikuara italiane bëhet me dije se është vendosur që të anulohen të gjitha kalimet e gjeneruara me ato kode.
Për momentin nuk dihet numri i kodeve të vjedhura, as nëse problemi ka të bëjë edhe me Italinë, ndonëse janë duke u zhvilluar hetime.
Një kalim në emër të Adolf Hitlerit, i lindur më 1 janar 1900, certifikatë false, e cila ishte e vlefshme pas një kontrolli me aplikacionin 'Verifikimi C19', qarkullon në internet që nga mbrëmja e djeshme dhe është publikuar në Twitter dhe në disa faqe të specializuara.
Sipas faqes italiane “Zezone.it”, janë dy pasaporta jeshile me emrin Adolf Hitler, njëra me vitin e lindjes 1900 dhe tjetra 1930. Të dyja kanë një kod QR të vlefshëm dhe faqja pretendon se këto kode janë vjedhur në Poloni.
Ende nuk dihet numri i kodeve të vjedhura, dhe sipas informacioneve zyrtare nuk dihet se në cilin shtet janë vjedhur, shkruan Ansa.
