Rekord infektimesh /Moska ri-izolohet për 11 ditë, shkollat e restorantet mbyllen

Rusia është futur në izolim të pjesshëm për të ulur valën e lartë të vdekjeve e infektimeve nga Covid-19.

Në Moskë, të enjten u lejuan të hapen vetëm bizneset kryesore, si ushqimoret dhe farmacitë, ndërkohë që dyqanet e thjeshta, restorantet dhe shkollat janë mbyllur për të paktën 11 ditë.

Autoritetet thanë se nga e shtuna edhe punonjësve në gjithë vendin do u jepen 9 ditë pushimi nëse punojnë.

"Jam pensioniste: mua më lejohet të shkoj në dyqan, të shkoj te doktori apo të nxjerr jashtë qenin tim, pra nuk jam shumë e kufizuar. Për udhëtimet e gjata besoj se duhet pritur të vijë vera."

"Nëse është masë e përkohshme, ndoshta mund të ndihmojë në uljen e infektimeve. Po u zgjat, duhet menduar për masa të tjera, jo për mbylljen."

Ashpërsimi i masave vjen pasi të enjten Rusia regjistroi sërish një rekord infektimesh nga koronavirusi, rreth 40 mijë raste dhe mbi 1,100 vdekje në ditë.

Bilanci i jetëve të humbura e kalon tani shifrën 230 mijë, numër ky i katërti në botë pas SHBA-së, Brazilit dhe Indisë.

Pavarësisht fushatës intensive, rusët vijojnë në shumicë ta refuzojnë vaksinimin kundër Covid nga dyshimet që kanë ndaj vaksinës Sputnik V.

Më pak se 35 për qind e popullsisë ruse i ka marrë të dyja dozat e vaksinës që njihet edhe jashtë për efikasitetin e saj.

Imunizimi mbetet një zgjedhje personale në Rusi dhe për ta tërhequr më shumë publikun, presidenti Vladimir Putin ka urdhëruar që personat e vaksinuar të përfitojnë dy ditë leje nga puna.