Konkurrenca SHBA – Kinë/ Gjeneralët amerikanë të shqetësuar për raketat hipersonike kineze

Konkurenca mes amerikanëve dhe kinezëve shtohet përditë e më shumë në fusha të ndryshme, si ajo tregtare, teknologjike dhe ushtarake.

Pak ditë më parë Kina kreu një testim të armëve hipersonike, raketa që fluturojnë 5 herë më shumë se shpejtësia e zërit dhe janë të vështira për t’u gjurmuar nga radarët.

Ushtarakët amerikanë e cilësuan "shumë shqetësues" një zhvillim të tillë në teknologjinë ushtarake kineze.

Gjenerali Mark Milley , Shefave i Shtabit Ushtarak amerikan, e ka konfirmuar zyrtarisht se kinezët kanë testuar armë hipersonike me aftësi bërthamore, edhe pse zyrtarisht kinezët e mohojnë këtë testim duke thënë se ishte test për anije kozmike.

Raketa hipersonike me aftësi bërthamore që lëshuan kinezët në hapësirë orbitoi Tokën përpara se të rihynte në atmosferë dhe të shkonte drejt objektivit të saj në Kinë.

Për rastin, gjenerali amerikan Milley tha se nuk mund të diskutonte detaje sepse aspektet përfshinin materiale të  klasifikuara, por shtoi se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë gjithashtu për armët hipersonike.

“Ajo që pamë ishte një ngjarje shumë domethënëse dhe është shumë shqetësuese”, tha gjenerali amerikan gjatë një interviste.

Mediet amerikane kanë shkruar për një moment Sputnik, duke sjellë në vëmendje satelitin rus që mahniti botën dhe i zuri në befasi amerikanët.

Do të ishte ky çast që do të niste një betejë e ethshme mes amerikanëve dhe sovjetikëve për armatime të sofistikuara.

Për gjeneralin amerikan ky nuk është një moment Sputnik, por është një ngjarje teknologjike shumë domethënëse që ka gjithë vëmendjen e amerikanëve.

Ekspertët e mbrojtjes janë të ndarë për fuqizimin kinez me armë hipersonike, ku disa prej tyre thonë se shqetësimi se kinezët kanë një armë hipersonike që mund të dërgojë një armë bërthamore në hapësirë është i tepruar.

Ndërkohë, një pikë e nxehtë në marrëdheniet mes Kinës dhe Amerikës mbetet Tajvani.