"Ora News" me qytetarët e helmuar në Krujë, prej ditës së djeshme banorët po e blejnë ujin

370 persona, mes të cilëve edhe dhjetëra fëmijë, janë paraqitur në Spitalin e Krujës me shenja helmimi që nga mëngjesi i së dielës.

Dyshimet janë se shkak për helmimin është bërë bashkimi i ujërave të zeza dhe ujit të pijshëm.

Aktualisht depozitat e qytetit të Krujës janë mbyllur deri në përgjigjen e analizave të ISHP-së.

Qytetarët treguan nga spitali simptomat që kanë pasur nga ky helmim.

"Dhimbje barku, bark, dhimbje koke."

"Dhimbje barku, në përgjithësi te stomaku dhe të vjella."

Ky është rubineti kryesor që furnizon një familje në qytetin e Krujës, por që prej ditës së djeshme nuk ka ujë pasi është bllokuar nga ujësjellësi.

Qytetarët thonë se prej ditës së djeshme kanë blerë ujë për të pirë dhe për nevoja të tjera.

"Erdhi uji i keq, thanë mos e pimë."

"Vetëm boti që ka qenë aty, ujë tjetër nuk ka. Sot nuk kemi, e blemë."

"Uji ka ardhur i pistë, po shkojmë të blejmë."

"Uji është shumë keq."

Gjatë së martës spitalin e Krujës e vizitoi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila nuk foli për shkakun e helmimit por tha se rasti po hetohet.

"Të gjitha rastet që janë paraqitur, janë paraqitur me gastroenterit. Janë duke u kryer të gjitha investigimet në të gjitha pistat e mundshme," tha Manastirliu.

Nga Spitali i Krujës 3 deputete të Partisë Demokratike apeluan për hetime të plota.

"Institucionet shtetërore duhet të veprojnë në mënyrë urgjente dhe duhet të kishim një deklaratë paraprake nga organet e hetimit," tha deputetja Dhurata Çupi.

Shkaku i vërtetë i helmimit masiv të qytetarëve pritet të mësohet pas daljes së analizave të ujit nga ISHP, ndërkohë që Prokuroria ka nisur hetimet.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar dhe Ujësjellësi i Krujës me anë të një njoftimi ku shprehet se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ditën e shtunë pasdite (23 tetor) dhe në orët e para të ditës së dielë ka pasur kontaminim të ujit të pijshëm ku paraprakisht është konstatuar edhe prezenca e amoniakut mbi normë.