Reagime për progres-raportet/ Vlerësime kritike për demokracinë dhe sundimin e ligjit, Turqia: Janë teza grek
Progres-raportet e Komisionit Europian janë pritur me krenari por edhe me kritika në disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nga Turqia.
Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhei, tha të martën se raportet e 2021-it për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Turqinë tregojnë dritë-hijet e secilit vend në rrugën drejt integrimit.
Dokumenti për ecurinë e Kosovës iu dorëzua kryeministrit Albin Kurti.
Vendi vlerësohet se ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, i duhen rezultate në sundimin e ligjit, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, dhe në normalizimin e raporteve me Serbinë.
“Në këta gjashtë muaj të qeverisë kemi stabilitet institucional legjitimitet demokratike dhe besueshmëri të lartë në institucione nga ana e qytetarëve e që përbënë progres të madh shoqëror që do e kishin zili jo vetëm vendet e rajonit por edhe jo pak vende anëtare të BE-së.
Në fushën e sundimit të ligjit në këta gjashtë muaj, apo rreth 200 ditë, kemi marr 320 vendime në mbledhje të qeverisë prej tyre 60 projektligje kurse janë ë miratuar 12 draft-ligje, dy koncept-dokumente një strategji dhe një rregullore.
Natyrisht rruga drejt BE-së kërkon reforma e arritje të mëdha, por në këta muaj të qeverisjes sonë ne kemi dëshmuar se jemi në rrugën dhe drejtimin e duhur e në këtë rrugëtim to ecim së bashku në partneritet dhe me mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian.”
Me Serbinë, Komisioni Europian vendosi të hapë dy kapituj të rinj për negocim mbi konkurrueshmërinë dhe axhendën e gjelbër, duke shprehur kënaqësi me reformat e deritanishme.
"Ky është progres-raporti më i mirë ndër vite që marrim nga BE-ja, dhe tregon se kemi shënuar progres në thuajse të gjitha fushat, në sundimin e ligjit, dhe për herë të parë që nga viti 2016, edhe në lirinë e medies," tha kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.
Serbia sikundër Mali i Zi janë dy vendet e rajonit më përpara në procesin e integrimit, por ish-ministrja malazeze për Integrimin Europian, Gordana Duroviq, thotë se raporti i sivjetëm është negativ.
"Për herë të parë, vendi ynë shihet negativisht në kontekstin e bashkëpunimit rajonal. Edhe raportet mes Serbisë e Malit të Zi thuhet se janë përkeqësuar nga tensionet dhe retorika nacionaliste e nxitur nga aktorë të huaj", shprehet ish-ministrja Duroviq.
Bosnjë-Hercegovina vlerësohet se është ende në fazë të hershme për sa i përket gjyqësorit, luftës kundër krimit e korrupsionit dhe ende ka një ekonomi tregu jo tërësisht funksionale për BE-në.
Maqedonia e Veriut, ndërkohë, vlerësohet për përpjekjet e vazhduara në forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit dhe sipas Kommisionit Europian, vendi i ka përmbushur kushtet njësoj si Shqipëria për të hapur negociatat për anëtarësim.
Turqia, është aspirantja tjetër që synon prej 16 vitesh të bëhet pjesë e BE-së, por progres-raporti i fundit zbuloi se rruga e Ankarasë është ende pa krye për shkak të situatës me demokracinë, sundimin e ligjit, respektin e paktët për të drejtat themelore dhe për pavarësinë e gjyqësorit, dobësi të cilat vlerësohet se janë përkeqësuar nën qeverinë e presidentit Rexhep Taip Erdoan.
"Turqia i qëndron fort zgjedhjes strategjike për t'u bërë anëtare e plotë e BE-së. Do të ishte në interesin e gjithkujt nëse BE-ja do e shihte Turqinë si vend kandidat për negocim, jo si partner me të cilin mban raporte ditore sa për të thënë," reagoi Ministria e Jashtme turke, duke e qortuar raportin e Komisionit Europian se hedh pretendime të pabaza dhe tezat e Greqisë.




