Vendoret në Kosovë, Quni: Baraspeshim mes partive politike, LDK pret të marrë komunat që ka udhëhequr

Lidhja Demokratike e Kosovës arriti të marrë dy komunat e para, Lipjan dhe Pejë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në 17 tetor.

Anton Quni, kandidat i kësaj partie për kryetar komune në Prizren në një lidhje me skype për "Ditë e Re" në Rtv Ora me moderatoren Arjola Shehu, foli për një proces të lirë dhe demokratik.

Anton Quni: Kemi përçuar një mesazh të fuqishëm që ne si komb, si qytetarë, tani kemi një standard të lartë të qytetërimit kur janë në pyetje çështje të tilla si zgjedhjet demokratike.

Duke analizuar rezultatin në rang kombëtar ai tha se ka një barazpeshim mes ofertave populiste dhe atyre empirike.

Anton Quni: Në nivel kombëtar është evidente se tani po bëhet një barazpeshim mes ofertave populiste dhe atyre empirike. Qytetarët kanë filluar të jenë të prirë që kandidatët të mos i vlerësojnë brenda një ideologjie por për shkathtësinë dhe aftësinë në menaxhim.

Sa i takon sfidës personale në Prizren, Quni thotë se përkundër faktit se LDK nuk është më në garën e balotazhit ajo arriti të rikuperojë veten nga humbja e madhe në zgjedhjet e parlamentare.

Anton Quni: Fillimi ishte i vështirë sepse si LDK kemi dalë nga zgjedhjet kombëtare mjaft të dëmtuar në elektorat dhe struktura, pothuajse të përgjysmuar, posaçërisht në Prizren. Kjo ishte rrjedhojë që nga votimi i mosbesimit të qeverisë Kurti, me largimin e Vjosa Osmanit. Duhej të punonim më shumë. Përkundër faktit se nuk jemi pjesë e garës së mëtejshme, arritëm të forcohemi dhe në Prizren.

Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të fitonte anjë komunë në raundin e parë të zgjedhjeve vendore por vijon betejën në balotazh.

Quni e sheh të lidhur këtë situatë sa me zhgënjimin e qytetarëve nga qeveria Kurti po aq edhe me rikonfigurimin e partive të opozitës, posaçërisht LDK dhe PDK.

Anton Quni: Natyra e zgjedhjeve lokale dallon shumë nga zgjedhjet kombëtare. Dhe pritshmëritë për qeverinë Kurti janë zbehur nga menaxhimi i disa situatave. Nuk ka mundësi politike për të zgjidhur situatat në mënyrën si kishte premtuar në rolin e opozitës. LDK ka filluar një riorganizim të thellë me zgjedhjen e kryetarit. Po kështu dhe në PDK. Është një rikonfigurim i skenës politike. Çdo parti politike ka pasur një performancë të mirë por Kurti nuk mund të mburret me absolutizëm si në të kaluarën. Çdo parti politike mundet me i kontribu vetëvetes me ndonjë fitore por e vërteta është se tani po ndodh një baraspeshim i partive politike.

Raundi i dytë i votimeve pritet të mbahet pas katër javësh, më 14 nëntor. Janë 21 komuna që janë pjesë e garës së balotazhit. Quni tha se pritshmëritë e LDK-së janë të konfirmohet në ato komuna që ka drejtuar por pse jo të marrë edhe ndonjë komunë të re.

Anton Quni: Kandidatët kanë mundësi të kërkojnë partneritet me ato parti politike që nuk janë më në garë. Mendoj që LDK do të udhëheqë me shumicën e komunave, do ketë numrin më të madh të kuvendarëve. Sa i takon Prizrenit në varësi të ofertave do të shohim si do pozicionohemi. Presim të marrim komunat që kemi udhëhequr deri tani, janë në proces  projektesh shumë të mëdha, pse jo dhe ndonjë komunë të re.