Manjani: Basha po sillet si Arlind Qori, po bën politikë me tezat e tij në lidhje me bizneset

Kuvendi ditën e sotme ka miratuar komisionin për '25 prillin', por ka rrëzuar ngritjen e Komisionit Hetimor për 'Becchettin'. 

Në lidhje me këtë Ish-Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, në një intervistë për RTV ORA me gazetaren Beti Njuma është shprehur se çështjet në lidhje me incineratorët, zgjedhjet e Becchetin, do të futen në rrugën e degjenerimit që do i bluajë mekanizimi propagandistik i Edi Ramës.

Ai shton se Parlamenti nuk ka punë për të bërë dhe deputetët dhe Ministrat sipas tij nuk e kanë seriozisht punën e tyre.

Ylli Manjani: Këto çështje do të futen në rrugën e degjenerimit që do i bluajë mekanizimi propagandistik i Edi Ramës. Nuk e kuptojë se çfarë duhet hetuar për incineratorët, për zgjedhjet dhe për Becchetin. Akoma nuk e ka mësuar se çfarë ka ndodhur në vendin tonë. Për të treja këto çështje nëse Basha nuk e di se çfarë ka ndodhur në vendin tonë atëherë se çfarë do hetojë. Realisht Parlamenti nuk ka punë për të bërë. Këta nuk e kanë asnjë seriozisht, të gjithë tallen. Realisht asnjë interes nuk ka publiku tek këto karaxhozë që tregojnë letra. Paratë për “Becchetin do paguhen. Llogaritë bankare të shtetit tonë jashtë Shqipërisë janë bllokuar.

Në lidhje me reagimin e Kryedemokratin Lulzim Basha ditën e sotme në Parlament ku pati përplasje me Ramën, Manjani shprehet se kreu i opozitës po bën politikë me tezat e  pedagogut Arlind Qorit.

Ylli Manjani: Basha ka bërë mirë që përmendi Zamir Manes dhe Shefqet Kastratin, por do kishte bërë mirë që të tregonte marrëdhëniet e tij me këto dy persona. Kryetar i një partie të djathtë, i një parti pro biznes të dalë të bëjë politikë me tezat e Arlind Qorit këtë vetëm Lulzim Basha mund ta bëjë. Qorri mbron marksizmin, por Basha nuk duhet të sillet si Arlind Qori, në raport me biznesin, në raport me pasurinë dhe në raport me ata që gjenerojnë ekonominë. Miklimi i bizneseve konkrete kur për më tepër krahët politike janë përfituese të tyre kjo pastaj nuk është e sinqertë dhe nuk është as tezë ekonomike as asgjë.