Jaço: Shqipëria të orientojë politikat drejt mundësive Euro-Transatlantike, qeveria duhet të luftojë ekonominë e zezë

Dhoma Amerikane ka mbledhur sot Asamblenë e Përgjithshme mbi zgjedhjet për Bordin drejtues me prezencën e Ambasadores Yuri Kim, Ministres se Financave Delina Ibrahimaj dhe përfaqësuesve nga AmCham Washington dhe Kompania Bechtel.

Presidenti i Dhomës Amerikane, Enio Jaço deklaroi se Shqipëria duhet të orientojë politikat drejt mundësive euro-transantlantike dhe që të përfitojë prej tyre, duhet të luftojë ekonominë e zezë, informale, koston e së cilës, e paguajnë bizneset e ndershme dhe e marrin në konsideratë investitorë të huaj potencialë.

“Ka një shqetësim në rritje dhe pakënaqësi me politikat e brendshme të vendit. Indeksi i Biznesit, matësi vjetor i AmCham tregon se shumë shpesh praktikat në mënyrën e të bërit biznes nuk janë të drejta. Si rrjedhojë e kësaj situate, talente të reja profesionale janë duke parë mundësitë e largimit nga Shqipëria. Nëse duam të ndërtojmë vërtetë një ekonomi konkurruese, kjo është një kosto për të gjithë ne – përfshirë bizneset tona” u shpreh Presidenti i AmCham.

Enio Jaço bëri një analizë të situatës ku operojnë bizneset, një pjesë e të cilave  punojnë në atë që ai e quajti ekonomi të pastër, por penalizohen nga pjesa tjetër e ekonomisë informale.

"Sot janë tre hije që karakterizojnë ekonominë shqiptare. Është ekonomia e bardhë, e cila është e pastër, por është edhe ekonomia gri dhe ajo e zezë. Dhe ju (anëtarët) punoni në ekonominë e pastër por jeni duke paguar kostot e anës së errët të ekonomisë. Kjo nuk është e drejtë dhe duhet të marrë fund” tha Jaço duke iu drejtuar kompanive anëtare.

Ai kërkoi nga qeveria më shumë përpjekje në krijimin e praktikave të drejta, konkurruese dhe të ndershme. Sipas tij, ëkto masa do të rrisnin më tepër interesin e investitorëve seriozë drejt Shqipërisë.

“Ne përgëzojmë Qeverinë për nismat në reduktimin e informalitetit të ekonomisë gri përmes faturimit elektronik të detyrueshëm por ne e inkurajojmë atë, që të bëjë më shumë përpjekje për të ç’rrënjosur ekonominë e zezë duke pranuar programet perëndimore mbi praktikat kundër pastrimit të parave. Këto masa do të rrisnin interesin e investitorëve seriozë drejt Shqipërisë.”

Jaço e mbylli fjalën me Axhendën e Investimeve, paketën e AmCham me 40 ndërhyrje ligjore për përmirësimin e klimës së biznesit me thirrjen për të punuar bashkë me Qeverinë dhe forcat politike në Komisionet Parlamentare për implementimin e saj.

“Shpresoj që Axhenda e Investimeve do të implementohet. Ne presim të bashkëpunojmë me qeverinë, ministrinë e Financave dhe Parlamentin për ta kthyer atë në realitet. Ka ardhur koha që të ndalojmë së diskutuari problemet e Klimës së Biznesit dhe të nisim ndërhyrjet konkrete ligjore për përmirësimin e saj, duke ofruar mundësi dhe zhvillim për të gjithë,” tha Jaço./OraNews/