Faji "jetim", FSHF: Kemi marrë leje për të mbushur stadiumin plot. Ministria e Shëndetësisë e mohon

"Kjo vjen për masa që nuk respektohen. Për faktin se shkohet te ‘Arena’ me 22 mijë tifozë dhe pritet nesër çudia historike. Në fakt pritet rritje e të prekurve nga infeksioni të ndjekur nga shtrime spitalore dhe persona që vdesin me ato mënyrat që i kemi shpjeguar me ato numra që i kemi shpjeguar disa herë me 10-15 në ditë. Çdo njeri vlen. Çdo njeri është nëna, baba, motra dhe vëllai i dikujt tjetër," kështu u shpreh ditën e sotme Albana Fico, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik.

Mbledhja e 22 mijë personave në Stadiumin “Air Albania “shqetësoi ekspertët e shëndetit publik.

Por përgjegjësi për këtë situatë dhe për shkeljen e protokollit nuk po mban askush, edhe pse më herët janë marrë masa ekstreme deri në arrestime.

Rreth një vit më parë, RTV Ora u gjobit nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, me pretendimin se ishin thyer rregullat anti-covid pasi në studion televizive u zhvillua debat me 4 persona.

Madje ka pasur dhjetëra të arrestuar dhe miliona lekë gjobë për shkelje të rregullave anticovid në tubime.

Por kur bëhet fjalë për porosi nga lart askush nuk mban përgjegjësi, edhe pse shifrat e të prekurve nga koronavirusi arrijnë majat.

Madje ajo që ndodhi në "Air Albania" është bërë në sytë e policisë së shtetit, organizatorëve dhe monitoruesve të pandemisë.

Presidenti i FSHF, Armando Duka, thotë se për mbushjen e stadiumit kanë marrë leje, po pa përmendur asnjë institucion.

Ora News ka kontaktuar me ministrinë e Shëndetësisë e cila deklaron se nuk ka pasur asnjë kërkesë për leje, e për rrjedhojë nuk kanë miratuar një të tillë.

Në këtë rast faji mbetet jetim. Sigurisht që të gjithë mbështesim kombëtaren, por po ashtu dhe rregulla të barabarta loje për të gjithë dhe pa porosi politike./OraNews/