Lezhë/ 28 raste me kancer gjiri brenda 10 muajve

Numri i grave dhe vajzave te prekura nga kanceri i gjirit mbetet problematik në Lezhë, ku vetëm këtë vit janë regjistruar 28 raste të reja.

Mjekja onkologe, Bardha Gjoni, thotë se më të prekura janë grupmoshat 40 deri në 60-vjeç, por pa lënë pas edhe gratë apo vajzat e reja.

"Edhe këtë vit nuk na kanë munguar për fat të keq edhe moshat e reja, rreth moshës 27 vjeç, megjithëse janë raste të pakta.  80% e rasteve janë mosha 45 deri 60 vjeç. Por mendoj se numri i rasteve është më i madh, për arsye se jo të gjithë kalojnë në spitalin onkologjik, sepse disa shkojnë jashtë shtetit, e ndërsa të tjerë në  klinika private", tha mjekja.

Por në këtë qark nuk kanë munguar as rastet fatale me humbje jete.

"Edhe këtë vit kemi pasur vdekje."

Ndërgjegjësimi i grave dhe vajzave për të kryer kontrolle të gjirit mbetet i ulet dhe në këtë drejtim ka ndikuar dhe pandemia Covid-19, duke sjell hezitim të njerëzve për t'ju drejtuar institucioneve shëndetësore.

"Këtë vit ka ndikuar dukshëm pandemia në mos ardhjen e grave për ekzaminime ,kryesisht në raste pa simptoma."

Tetori është muaj i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit dhe apeli i bluzave të bardha është për kryerjen e kontrolleve të shpeshta me qëllim që sëmundja të kapet në kohë dhe të mjekohet pa shkaktuar pasoja të rënda./Ora News/