Llava kërcënon ende ishullin spanjoll, evakuohen mbi 700 banorë të tjerë
Vullkani në ishullin e La Palmës, edhe pas tri javësh, nuk ndalon së lëshuari masa të reja lave në zonat e banuara.
Deri tani janë mbuluar me lëndë vullkanike mbi 600 hektarë tokë dhe janë djegur mbi 1 mijë godina.
Vullkani dhe gazrat toksikë vijojnë të kërcënojë prej tri javësh banorët e ishullit spanjoll të La Palmës.
Mbi 700 persona të tjerë u detyruan të lënë banesat teksa llava e vullkanit me temperaturë më shumë se 1 mijë gradë Celsius hyri në lagjet e tyre.
Gjithçka po ndodh nën regjimin e aktivitetit të lartë sizmik me mbi 60 tërmete të rëna vetëm të martën.
Nga krateri i vullkanit "Kumbre Bjeha" u derdhën ditën dallgë të reja lave mbi sipërfaqen e një zone industriale.
Bilanci i deritanishëm përfshin mbi 1 mijë godina të prishura dhe 600 hektarë tokë të mbuluar me masë vullkanike.
Numri total i banorëve të evakuuar nga Ishujt e Kanaries ka kaluar 6 mijë.
Vullkani filloi të shpërthejë më 19 shtator dhe ka mbështjellë zona të tëra me hi, edhe pemët e bananeve që janë produkti kryesor i eksportit për rajonin.
"Tani nuk flasim për turizëm kur shumë familje po shohin se si lava u përpin shtëpitë, bizneset dhe plantacionet me banane. Familje të tëra po zgjohen në pallate sporti me një qese në dorë."
Prej 29 shtatorit llava e vullkanit ka mbërritur edhe në bregun e ishullit me 85 mijë banorë të La Palmës.


