Itali: Kërkohet të shpërbëhet partia Forza Nuova, mocion në parlament
Partia Demokratike italiane ka dorëzuar në Parlamentin italian e në dy dhomat e tij, mocionin që kërkon shpërbërjen e nxjerrjen jashtë ligji të Partisë Forza Nuova.
Ky mocion vjen pak orë pas ngjarjeve të rënda në kryeqytetit italian Romë, ku protestues No Vax e No Green Pass së bashku me militantë të Forza Nuova, shkatërruan selinë qendrore të Konfederatës Sindikaliste italiane.
"Të shkrihet Forza Nuova dhe të gjitha lëvizjet politike që kanë një frymëzim të qartë neofashist" lexohet në këtë mocion. Ngjarjet e rënda të së shtunës e sulmi ndaj Sindikatës, nuk kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes së mendimit, por evidentojnë se si lëvizjet e ekstremit të djathtë që rievokojnë thirrjet folkloriste të regjimeve të shkuara, kanë arritur të bëjnë një hap cilësor duke arritur të infiltrohen e të kaptojnë pakënaqësitë e atyre që protestojnë e që nuk dakordësohen me vendimet e qeverisë."
Lideri i Partisë Demokratike, Enriko Letta, i bën thirrje të gjitha forcave politike italiane të votojnë mocionin për shkrirjen e Forza Nuova-s, e ta konsiderojnë si një gjest bashkues e jo ndarës.
"Kushtetuta është e të gjithëve e jemi të gjithë bashkë në këtë betejë në mbrojtje të Kushtetutës."
Kreu i Partisë Demorkatike italiane fton liderët e tre forca kryesore të së djathtës italiane; Matteo Salvini i Lidhjes, Giorgia Meloni e Fratelli d'Italia e Silvio Berlusconi i Forza Italia, të bashkohen në këtë mocion e mos ta konsiderojnë si një betejë mes të djathtës e së majtës.
Tre liderët e së djathtës kanë kërkuar të votojnë një mocion të tillë por të modifikohet si një mocion kundër çdo force subversive e jo vetëm ndaj atyre të identifikuara nga e majta italiane.
"Të manifestojmë bashkarisht me ngjyrat e flamurit kombëtar e pa flamuj të tjerë (të kuq) për të dënuar e izoluar të gjithë të dhunshmit e çdo force e ngjyre politike", ka deklaruar Matteo Salvini , kreu i Partisë Lidhja.
Partia Demokratike a e pranon një propozim të tillë unitar apo preferon të bëj vetëm fushatë elektorale?", është shprehur ai.
Nuk duhet harruar se kryeqyteti italian Romë është në një klimë të nxehtë elektorale pas zgjedhjeve vendore të 3 e 4 tetorit të cilat çuan në balotazh kandidatët e së djathtës e së majtës italiane për zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm të Bashkisë së Romës.
Balotazhi elektoral do të zhvillohet më 17 e 18 tetor e vë në një votim të drejtpërdrejtë për postin e kryebashkiakut dy kandidatët; Roberto Gualtieri i Partisë Demorkatike e Enrico Michetti i Partisë Lidhja.
