Berisha i bën thirrje Ramës nga Kukësi: Zoografi Bis ndiq Foltoren, është punë burrash e jo pengjesh
Salla e shtëpisë së Kulturës ‘Hasan Prishtina’ ka qenë e mbushur plot e përplot dhe qindra qytetarë ndodheshin jashtë për të dëgjuar bashkëbisedimin e liderit historik të demokratëve.
Duke folur në ‘Foltoren’ e Kukësit, ish-kryeministri Sali Berisha i bëri një thirrje edhe Edi Ramës.
I entuziazmuar nga pritja madhështore e kuksianëve, hasianëve dhe tropojanëve, Berisha tha se Edi Rama nuk e meriton të qeverisë as 8 ditë, jo më 8 vite.
"Në emër tuaj do t'i them zoografit Bis, Edi Ramës ndiqe këtë Foltore, kjo është punë burrash dhe grash të lira dhe jo punë pengjesh. Ne mblidhemi në momente kritike për vendin në një kohë kur një njeri i cili ka kaluar në këto 8 vite nga skandali n skandal, ka kaluar në këto 8 vite me qeverisjen e tij duke e shndërruar Shqipërinë në delen e zezë të Ballkanit dhe Evropës. Ti mendon se do të gëzosh këtë mandat, dëgjoji pak ato daulle, po bien për ty," tha ish-lideri demokrat.
Berisha u kujtoi demokratëve të Kukësit se Lulzim Basha nuk u mor me fatin e shqiptarëve por u kujdes për karrigen e tij
"Me këtë nismë vijmë optimistë më shumë se kurrë ndonëse vijmë të prerë në besë. Vijmë në një kohë kur ish-kryetari deklaroi masakër elektorale, por u mor me karrigen e tij dhe harroi çdo gjë për votën," tha Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha tha nga Kukësi se në vitet kur ai drejtonte PD-në dhe qeveriste, vendosi marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA-të.
Shpallja non grata, tha Berisha u bë nga lobimi i George Soros, ndërsa shtoi se ndaj tij nuk ka asnjë provë apo fakt, prandaj edhe i është drejtuar Gjykatës së Parisit, ku ka ankimuar vendimin e Blinken.
/OraNews/
