Video/ Basha i vendosur: Nuk do të lejoj asgjë dhe askënd t’i bjerë me shkelm sakrificës së demokratëve!

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka publikuar në “Facebook” një pjesë nga deklarata e tij e dhënë sot para gazetarëve, ku thekson prerë se “Nuk do të lejojë asgjë dhe askënd t’i bjerë me shkelm sakrificës së demokratëve”.

Në mesazhin në video, kryedemokrati Basha shprehet se PD është shpresa e vetme e këtij vendi dhe “Kushdo që mendon se do ta kthejë Partinë Demokratike në bunker për interesat e veta personale, do të pastrohet”.

"Një gjë ta keni të qartë. Partia Demokratike është shpresa e vetme e këtij vendi, është shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshim. Ky është një moment fondamental ndryshimi. Kushdo që mendon se do ta kthejë PD-në në bunker për interesat e veta personale, që do të ndryshojë orientimin tonë Euro-Atlantik apo që do të thyejë vendosmërinë time për t'u përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar që përfaqëson Edi Rama dhe regjimi i tij dhe bishat e korruptuar të ish-qeverisjes tonë, siç e thashë një pjesë e kemi pastruar atëherë, por një pjesë kanë mbetur dhe demokratët e dinë fare mirë kush janë dhe ku janë e çfarë pazaresh kanë bërë e bëjnë dhe sot me Edi Ramën.  

Kush mendon se do të thyejë vendosmërinë time në këtë drejtim e ka shumë gabim. Nuk do të lejoj asgjë dhe askënd t'i bjerë me shkelm sakrificës së demokraëtve," thotë Basha në videon e postuar në Facebook.

Ditën e djeshme, 11 tetor Basha njoftoi shkarkimin e deputetit Flamur Noka nga posti i nënkyetaritt të Komisionit të Sigurisë dhe madje e paralajmëroi për përjashtimin nga grupi parlamentar i PD-së.