Fitore nga çdo kombëtare, Duka: Shqipëria e futbollit një realitet në rritje

Suksesi në Budapest vetëm 48 orë më parë, dy fitoret e Shqipërisë U19 në Mal të Zi dhe tani fitorja e dytë në pak ditë për Shpresat në eliminatore, janë rezultate shumë të mira që kanë ngrohur shumë tifozët. Presidenti i FSHF, Armand Duka ka reaguar me një status duke përgëzuar këto skuadra për fitoret e duke shkruar se Shqipëria e futbollit tani është një realitet në rritje që mund të na çojnë larg.

Të dashur miq,

Sot shijuam një tjetër ditë e shkëlqyer për futbollin shqiptar. Ekipi U-21 arriti një fitore të rëndësishme ndaj Sllovenisë, me një paraqitje bindëse, duke konfirmuar cilësitë dhe vlerat që ka në përbërje. Brenda 3 ditësh na dhuruan dy fitore me 4 gola të shënuar dhe zero të pësuar. Kjo është ajo që ne kërkojmë nga kjo skuadër dhe kjo është rruga që duhet të ecin. Asgjë nuk është e pamundur.

Ekipi U-19 përsëriti sot pasdite veten ndaj Malit të Zi, ku në 2 ndeshje të luajtura në Ulqin brenda pak ditësh na dhuroi dy fitore me lojë bindëse. Përgëzime për djemtë e rinj kuqezinj që së shpejti fillojnë rrugëtimin kualifikues ku duhet të na dhurojnë lojra të bukura dhe rezultate pozitive.

Sot Shqipëria e futbollit është një realitet në rritje të vazhdueshme në çdo drejtim, duke konfirmuar punën e mirë që Federata Shqiptare e Futbollit bën. Ne besojmë se me punë mund të shkojmë larg, dhe rezultatet e fundit të skuadrave tona e tregojnë më së miri këtë”, shkruan Armand Duka në statusin e tij./Ora News/.