Mbrojtësi polak, Glik: Duhet të thyejmë mesfushën e Shqipërisë, për ne ka më shumë presion

Edhe Kamil Glik, një nga mbrojtësit më ekspert të Polonisë, ishte në konferencën për shtyp në “Air Albania” në vigjilje të ndeshjes me Shqipërinë. Lojtari i Beneventos pohoi se ka presion pak më shumë se me ndeshjet e tjera ndaj Polonisë por mbetet optimist për sfidën.

“Shqipëria ka shumë lojtarë cilësorë që luajnë në Itali por dhe trajneri është italian çka ka sjellë cilësi te skuadra. Shqipëria pësoi katër gola në ndeshjen e parë, gjë që është shumë e rrallë për ta dhe jam i sigurt që nuk do të përsëritet dot nesër. Çdo ndeshje ka historinë e saj dhe ne jemi gati të përballemi me ta. Mendoj se beteja do të jetë në mesfushë dhe për të pasur kontrollin e lojës, aty janë të fortë”.

Glik pohoi se ndihet në formë për këtë ndeshje teksa zbuloi se e ka pranuar edhe pas ndeshjes së parë që ajo ndërhyrje ndaj Rey Manaj në Varshavë ishte penallti për Shqipërinë.

“Jam shumë mirë dhe gati fizikisht. Jam vënë në dispozicion të plotë të trajnerit dhe ekipit. Nuk kam asnjë problem. Nga Shqipëria nuk do të veçoja një lojtarë të vetëm, pasi ata veprojnë si ekip, veçanërisht në mbrojtje, ku lëvizin në bllok dhe përpiqen të zbresin shpejt në kundërsulm. Bashkëpunimi i mirë me njëri-tjetrin i bën ata vërtetë të rrezikshëm. Ne kemi në përbërje një grup lojtarësh me shumë përvojë dhe do të përpiqemi ta shfrytëzojmë këtë edhe në ndeshjen e nesërme për të bërë më të mirën. Ndërhyrja ndaj Manaj? E kam thënë edhe pas ndeshjes në Varshavë, që ishte penallti e pastër, por arbitri nuk ndërhyri. Unë nuk i shmangem përgjegjësisë dhe e pranoj që ishte penallti”, përfundoi mbrojtësi polak./Ora News/.