Challandes kapet me gazetarët: Nuk e vendosni ju shkarkimin, marr përgjegjësitë e mia
Konferenca për shtyp në vigjilje të ndeshjes me Gjeorgjinë në “Fadil Vokrri” duket se është shndërruar në një përplasje mes trajneri të Kosovës, Bernard Challandes dhe gazetarëve të pranishëm. Ajo që duhej të ishte një pasqyrim për formën e dardanëve për këtë sfidë, kaloi në pakënaqësi mes të dyja palëve për stolin dhe të ardhmen. Si fillim, Challandes nisi të analizonte kundërshtarin dhe ndeshjen me Suedinë.
“Në Suedi nuk bëmë një ndeshje të mirë dhe u ndëshkuam nga disa gabime tonat, të cilat i kemi evidentuar dhe do të punojmë që të mos i përsëritim. Unë nuk shoh asnjë problem për humbjen në Suedi, pasi atje u mposht edhe Spanja. Kosova është një përfaqësuese e re, që është rritur ndjeshëm në vitet e fundit. Sigurisht që ne mund të marrim rezultat të mirë edhe ndaj skuadrave si Suedia, Sllovenia, Spanja, Greqia, etj., megjithatë nëse nuk ia dalim, nuk shoh asnjë dramë”.
Challandes vijoi duke thënë se për ndeshjen me Suedinë nuk ishte i kënaqur dhe se tre ndeshjet e ardhshme do të jenë përgatitje për Kosovën për Ligën e Kombeve.
“Me duhet të pranoj se pas ndeshjes me Suedinë nuk mund të them se jam i kënaqur me ekipin, por shpresoj gabimet të cilat i kemi bërë kundër Suedisë, do t’i përmisojm kundër Gjeorgjisë. Lirim Kastrati është 100 përqind i gatshëm, dhe do të pjesë e listës së futbollistëve për ndeshjen e nesërme. Mendoj se synimi ynë është gjithmonë që të luajmë lojë ofensive, ne gjithmonë duhet të luajm në këtë formë, të krijojmë posedim më të lartë të topit. Këto paraqitje synojm t’i bëjmë gjatë tri ndeshjeve që kanë mbetur, përfshirë miqësoren që do ta zhvillojmë në nëntor. Gjithashtu këto ndeshje do të na ndihmojnë që të jemi sa më të gatshme për Ligën e Kombeve që fillon në vitin e ardhshëm”.
Më pas insistimi i gazetarëve se a duhet të dorëhiqet pas këtyre rezultateve apo a duhet të vazhdojë ende në krye të Kosovës pasi ekipi ka probleme duket se e acaruan atë.
“Ne kemi problem? Ku? Kemi fituar ndaj Gjeorgjisë, bëmë lojë të mirë ndaj Greqisë, ndaj Spanjës? Ku është problemi? Sepse u mposhtëm nga Suedia? Ju keni probleme. Ne e bëjmë më të mirën. Ndoshta nuk ia dalim. Unë e bëj punën time. Unë marr përgjegjësi për vendimet e mija, por nuk shoh që kemi ndonjë problem. Një trajner nga ndeshja në ndeshje mbijeton dhe nuk e di nëse do të vijojmë bashkëpunimin apo jo. Nuk mund të flas sot për dorëheqje, apo për shkarkim, pasi këtë e vendosin të tjerët dhe jo ju”, përfundoi trajneri Challandes./ Ora News/.
