Challandes: Penallti qesharake, mund të arrijmë ende te vendi i tretë
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes u shpreh i zhgënjyer për humbjen me Suedinë edhe pse e pranoi se përballë kishin një ekip të fortë fizikisht dhe me cilësi.
“Nuk ishte njësoj si ajo humbje në Prishtinë edhe pse me rezultat të njëjtë. Ishte kundërshtar shumë i fortë dhe më vjen keq për penalltinë. Mendoj se ajo penallti ishte qesharake, topi ra nga koka te dora dhe nuk mund të akordohej. Asgjë nuk shkoi në favorin tonë në këtë sfidë. Mund të barazonim por pësuam një gol si ai i Isak që e përgëzoj sepse ishte i jashtëzakonshëm. Ekipi provoi edhe një herë të shënonte por ishte shumë e vështirë të reagonim pas një rezultati të tillë”.
Më pas Challandes u shpreh se ekipi nuk mund të luante njësoj si ndaj Spanjës duke pohuar se vendi i tretë është ende i arritshëm
“Nëse do të shënonim në fillim të pjesës së parë do të flisnim ndryshe. Kishim disa aksione të mira dhe nuk u treguam të saktë. Suedia është ekip ndryshe nga ai i Spanjës, nuk mund të ketë të njëjtën qasje ndaj tyre, për ne është diferencë e madhe me një ekip fizik si Suedia. Nuk luajtëm aq mirë sa ndaj Spanjës pasi presioni i Suedisë ishte ndryshe. A është e mundur të fitojmë 2 ndeshje për vendin e tretë? Pse jo, nuk do të jetë e lehtë ndaj Gjeorgjisë, duhet të kalojmë ata e më pas të shkojmë në Greqi për të tentuar fitoren”, u shpreh trajneri i dardanëve./Ora News/.
