Edmundo kujton finalen Francë-Brazil: Leonardo më tha se Ronaldo do të vdesë në fushë!
Finalja e Botërorit e 1998 ishte një zhgënjim i madh për shumë tifozë të Brazilit e sidomos të Ronaldo Fenomenit. Ai ishte ylli i atij Botërori dhe pritej shumë në fushë por vetëm pas finales u kuptua që ai kishte probleme të mëdha ndaj dhe në fushë pothuajse ishte i zhdukur.
Por për të hyrë më në detaje, Edmundo, ish sulmuesi i Fiorentinës zbulon detaje shokuese për problemet shëndetësore të Ronaldos në ditën e finales, ku ai ishte i pari që e pa në gjendje të rëndë e ndoshta i ka shpëtuar edhe jetën.
“Kur pashë Ronaldon me konvulsione, dola duke ulëritur në korridor. Ishte mavijosur në fytyrë, ngjyra e tij ishte vjollcë, me gjuhën që po i shkonte poshtë. Mjekët erdhën menjëherë dhe ia dolën që ta sillnin në vete. Pastaj u ul, mori pak tortë dhe lëng portokalli dhe doli për të bërë një telefonatë. Leonardo tha: “Ky djalë nuk është mirë, do të vdesë në fushë”.
Edmundo rrëfeu se me problemet që kishte Ronaldo, Zagallo fillimisht i kishte thënë se do të luante ai titullar por pas një bisede të trajnerit me Ronaldon, ai mori siguri se sulmuesi i Interit ishte “ok” dhe mund të luante.
“Të gjithë ishin të gëzuar që do të luante, ai ishte më i miri në botë dhe unë nuk mund të thoja asgjë. Bënë disa teste mjekësore dhe Ronaldo ishte në gjendje të mire”.
Gjithsesi, me atë që u pa në finale, Ronaldo Fenomeni ishte larg asaj që kishte bërë më parë dhe nëse do të ishte në formën e tij ndoshta ajo finale do të merrte rrjedhë tjetër./Ora News/.
