Kancelari austriak nën hetim, akuzohet për korrupsion

Dyshimet për abuzime fondesh për fushata politike kanë vënë nën hetim kancelarin austriak, Sebastian Kurc.

Autoritetet bastisën të mërkurën zyrat e kancelarit dhe të partisë së tij, duke kërkuar për disqe, servera, celularë dhe kompjutera në kuadër të një hetimi që shtrihet pas në vitin 2016, kur Kurci ishte ministër i Jashtëm i Austrisë.

Zyra e Prokurorit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion dyshon se atëkohë Partia Popullore që ka pushtetin përdori mbi 1 milion euro fonde të Ministrisë së Financave për të publikuar lajme e sondazhe të manipuluara që e influenconin publikun për interes të ish-kryediplomatit Kurc.

Kancelari 35-vjeçar tha se akuzat ndaj tij janë të pabaza dhe akuzoi hetuesit se po i nxjerrin jashtë kontekstit mesazhet private që ai mund të ketë shkëmbyer në vitet e pretenduara nga akuza.

Kurc shtoi se nuk ka prova për përfshirjen e tij personalisht dhe nuk po mendon të japë dorëheqjen.

Agjencia mediatike që fajësohet për shpërndarjen e lajmeve false po ashtu mohoi marrëveshjet e fshehta mes saj dhe Ministrisë austriake të Financave.

Opozita politike deklaroi se hetimet konfirmojnë akuzat për korrupsion në rrethin e ngushtë të kancelarit Kurc, ndërsa pritet a do e futin të Gjelbrit qeverinë në krizë, pasi si pjesë e koalicionit e kanë pasur kusht atë që quajnë "pastërti politike" të kabinetit.